E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhet e fermerëve, Ministria e Bujqësisë do të subvencionojë interesat e kredive



Ervin KOÇI

Qeveria po përpiqet që me anë të një programi të posaçëm të mbledhë paratë e borxheve që fermerët i kanë shtetit që nga viti 1992. Këto borxhe u përkasin kredive të dhëna nga Banka Bujqësore dhe nga Banka e Shtetit në atë kohë, për të stimuluar rritjen dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend. Por, në atë kohë, një pjesë e madhe e fermerëve paratë që morën për zhvillimin e ekonomive të tyre dhe për blerjen e mekanikës bujqësore i përdorën për ndërtimin e shtëpive apo për nevoja të tjera, pa i investuar ato në sektorë produktivë dhe duke i mbetur kështu borxhlinj shtetit. Nisur nga kjo, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me anë të një fondi të posaçëm, do të subvencionojë pagesën e interesave të kredive të të gjithë fermerëve borxhlinj, me qëllim që ata të paguajnë principalin (trungun e kredisë), të marrë para viteve ’96. Administrimin e këtyre parave dhe kredive të pakthyera deri tani po e bën Agjencia e Kthimit të Kredive, e krijuar me një ligj të posaçëm në vitin 2002, kur u vendos që të përllogaritej dhe të rikthehej borxhi që shumë subjekte u kishin bankave.

Borxhlinjtë

Dosjet më të vështira të fermerëve borxhlinj janë ato të krijuara rreth viteve 1992-1996, kur masa e kredive të dhëna dhe menaxhimi i aseteve ka qenë thuajse tërësisht jashtë kontrollit. Ky problem është ende një plagë e rëndë financiare, e pambyllur. Në Shqipëri, gjatë viteve 1992-1996, janë dhënë 313 mijë kredi. Ato janë dhënë me "urdhër dore" prej deputetëve, kryetarëve të partive të rretheve, duke mos respektuar asnjë rregull financiar bankar. Vetëm brenda vitit 1992 janë dhënë 2.3 milionë dollarë kredi në qytet dhe 1.9 milionë dollarë kredi në fshat. Kreditë janë dhënë në mënyrën më të paligjshme dhe me absurde për një komunitet pa banka. Janë dhënë kredi edhe për fejesa, për blerje mullarësh, për blerje drush zjarri, për blerje vizash për jashtë shtetit etj. Sipas pasqyrës së ATK-së për këtë periudhë, “kredia më e vogël e dhënë ka qenë 350 mijë lekë dhe është dhënë në Tepelenë për një martesë”.

Kreditë e reja

Ministria e Bujqësisë do të financojë këtë vit interesat e kredive që do të marrin fermerët për ruajtjen, përpunimin dhe grumbullimin e produkteve bujqësore. Drejtori i projektit "Rritja e prodhimit ushqimor 2KR", Ferdi Brahushi, tha se në kuadër të skemës të subvencionimit të bujqësisë për vitin 2009, është parashikuar që të aplikohet mbështetje dhe për kreditimin e fermerëve, duke subvencionuar interesin e kredive të tyre në banka. Sipas tij, nëpërmjet subvencionimit të normës së interesit për kreditë, që përdoren për veprimtaritë bujqësore, me një buxhet prej 60 milionë lekësh, parashikohet të financohen interesat e kredive jo më të vogla se 10 milionë lekë dhe interesi që subvencionohet për një kredi nuk mund të jetë më shumë se 2 milionë lekë. Aktualisht, MBUMK, shprehet Brahushi, ka informuar bankat e nivelit të dytë që operojnë në tregun vendas për realizimin e këtij bashkëpunimi, ndërkohë që brenda muajit qershor do të mbyllet faza e aplikimit të fermerëve për projektet që duan të realizojnë në përpunim, grumbullim, apo tregtim të produkteve bujqësore. Ky hap pritet të "thyejë", akullin që ekziston për kreditimin e bujqësisë nga bankat në vendin tonë.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›