E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozohen për qytetarët projektet për bulevardin e ri

Kryebashkiaku Basha dje gjatë ekspozimit të maketeve

Filloi dje ekspozimi i shtatë maketeve në Muzeun Historik. Bashkia, në pritje të komenteve.

Basha: Një formular për vërejtjet dhe sugjerimet.

Çdo qytetar do të ketë të drejtën që pasi të ketë vizituar dhe parë nga afër maketet për projektin e bulevardit e ri dhe lumin e Tiranës, të japë opinionin apo bëjë sugjerimet që mendon. Bashkia e Tiranës ka hapur dje dyert e Muzeut Historik, në kuadër të transparencës, ku janë të ekspozuara të shtatë maketet e paraqitura nga studiot ndërkombëtare për projektin. Të interesuarit për të komentuar këto projekte do të mund ta bëjnë këtë përmes formularëve që janë vënë në dispozicion. Maketet do të qëndrojnë të ekspozuara për një kohë relativisht të mjaftueshme për të mbledhur përshtypjet e qytetarëve.
Basha dje
Gjatë aktivitetit të djeshëm, kryebashkiaku Lulzim Basha u shpreh se mendimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm dhe se ata do të jenë pjesë e vendimmarrjes. Qytetarët do të kenë mundësinë, nëpërmjet një formulari, të shprehin mendimet e tyre, sugjerimet e tyre, komentet e tyre, por edhe të bëjnë pyetje të tjera, të cilat do të merren në shqyrtim nga Departamenti i Urbanistikës dhe që do të jenë pjesë shumë e rëndësishme e procesit të konsultimit dhe, për rrjedhojë, edhe e procesit të vendimmarrjes finale për zhvillimin e këtij projekti për Tiranën europiane të shekullit XXI, u shpreh Basha. Sipas tij, konsultimi me publikun është një fazë në proces dhe pas përzgjedhjes, implementimi do të fillojë me shpejtësi. Lidhur me maketet ai u shpreh se ato janë projekte të jashtëzakonshme, të punuara me kujdes dhe me cilësi. Janë studime jashtëzakonisht cilësore, me të cilat është punuar shumë me profesionistët më të mirë të botës, është investuar energjia, dija, përvoja e tyre dhe i ftoj qytetarët të marrin pjesë aktive në procesin e konsultimit që do ti hapë rrugë vendimmarrjes, e cila do të konkretizohet me fillimin dhe implementimin me shpejtësi dhe pa vonesë të fazave të para të projektit, në veçanti të veprës kryesore publike, që është bulevardi i ri apo zgjatimi i bulevardit, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Procesi i konsultimit
Kreu i Bashkisë së Tiranës edhe më herët e ka lakuar konsultimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje, si një praktikë të nevojshme që do të zbatohet nga institucioni që ai drejton. Në këtë kuadër, një projekt me rëndësi të madhe, si bulevardi i ri dhe lumi i Tiranës, do të marrin gjithë vëmendjen e nevojshme të Bashkisë për tu mundësuar qytetarëve një informim sa më të mirë. Përveç ndihmës që do të japin ekspertët e urbanistikës në ditët e ekspozimit të maketeve, Bashkia ka menduar edhe për organizimin e tureve me grupe të ndryshme interesi. Do të kemi pra një kalendar të ngjeshur të tureve të organizuara, dhe do të jetë Bashkia që do ti organizojë këto ture. Në fokus do të jenë arkitektët, urbanistët, anëtarët të Këshillit Bashkiak, shoqatat mjedisore, shoqatat e ndërtuesve, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, studentët e Arkitekturës e shumë grupe të tjera, të cilave do tu jepet, përveç aksesit në këtë sallë, edhe një tur i organizuar pyetjesh, përgjigjesh, shpjegimesh pranë secilit prej shtatë modeleve, tha Basha.

Shtatë studiot ndërkombëtare
Shtatë studio ndërkombëtare kanë paraqitur projektet e tyre për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës, dhe vetëm njëri prej tyre do të zbatohet. Pjesëmarrëse janë studio të tilla si: DAR Group Turqi & Mbretëri e Bashkuar, studio Grimshaw Architects Mbretëri e Bashkuar, studio West 8 Holandë, studio Cino Zuchi Architetti Itali, studio Gerkan, Marg & Partners Gjermani, studio Kees Christianse & Partners Holandë, studio Albert Speer & Partners Gjermani.

Trafiku dhe gjelbërimi, epiqendrat e projekteve
Dy nga problemet më të lakuara për Tiranën kanë qenë prej kohësh mungesa e hapësirave të gjelbra dhe trafiku i rënduar. Duket se nga këto dy probleme kanë pasur në fokus studiot ndërkombëtare në projektet e tyre që kanë prezantuar për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Në prezantimin e parë publik që bënë studiot disa ditë më parë, vëmendje iu kushtua shpjegimit për mënyrën se si janë konceptuar hapësirat e gjelbra për Tiranën dhe zgjidhjeve alternative që studiot i japin problemit të trafikut. Tramvaji, koristë e veçanta për mjetet e ndryshme, unaza brenda qytetit apo ndërthurje të tyre, janë variantet e paraqitura. Kurse për gjelbërimin, studiot duket se bashkohen në një mendje, se Tiranës i duhet më shumë gjelbërim dhe në projekte janë parashikuar mjaft detaje që lidhen me këtë pjesë.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›