E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 303 kg marijuanë, arratisen dy transportuesit

Droga e bllokuar nga policia

GJIROKASTER/ Policia: 3 kg, të përpunuara. Punishtja në Lazarat.

Dy trafikantë droge çajnë postbllokun e policisë, por nuk arrijnë dot të kryejnë deri në fund misionin e tyre. Një fuoristradë me targa gjermane është kapur së bashku me 303 kg marijuanë nga uniformat blu të policisë rajonale. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në një zonë të thellë malore të Tepelenës, kur dy trafikantët, njëri nga Fieri dhe tjetri nga Lazarati, të cilët administronin sasinë narkotike, mundën të shpëtonin mrekullisht nga arrestimi. Operacioni antidrogë, i quajtur “Ndjekja”, u zhvillua nga sektori kundër narkotikeve në Drejtorinë Rajonale Policore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë. Mjeti me targa gjermane STA 04 314, lëvizte me shpejtësi në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë dhe të gjendur në befasi nga mbërritja e informacionit në momentet e fundit, Policia e Gjirokastrës mori masa për përforcimin e shërbimit kontrollor në postbllokun e Ujit të Ftohtë, në territorin e Tepelenës. Sapo mjeti me 303 kg marijuanë është afruar në postbllok, drejtuesi i tij, fieraku misterioz, ka refuzuar të ndalojë për t’u kontrolluar dhe ka shtuar shpejtësinë duke rrezikuar kësisoj jetën e punonjësve të policisë. Të gjendur në këto kushte, është dashur krijimi i një postblloku tjetër në të dalë të Tepelenës, për të ndaluar rrugëtimin e mëtejshëm të marijuanës dhe kapjen e trafikantëve. Postblloku i lëvizshëm u instalua në pjesën dalëse te varrezat e Tepelenës dhe aty dy trafikantët kanë devijuar rrugëtimin duke u rikthyer në qytet e më pas në rrugën rurale që të çon për në komunën e Lopësit, në drejtim të fshatit Dhëmblan, në aksin e vjetër Tepelenë-Vlorë. Në afërsi të fshatit Salari, trafikantët braktisën mjetin dhe u larguan në drejtimin veriperëndimor. Policia zbuloi në sediljet e pasme një sërë pakosh me marijuanë e të tjera të shpërndara nëpër shkurre. Në përfundim u arrit të gjendeshin 150 pako me marijuanë, si dhe 10 thasë plastmasi. Policia për herë të parë identifikoi një sasi prej 3 kg marijuanë të përpunuar në formën e çokollatës. Kjo ka lënë të dyshohet se në Lazarat ekziston një punishte e përpunimit të kanabisit. Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, pas veprimeve të para hetimore, duke marrë në konsideratë edhe informacionet nga terreni, rezultoi se drejtuesi i automjetit është një 29-vjeçar nga Fieri, ndërsa personi tjetër, një 27-vjeçar nga Lazarati, të cilët janë shpallur në kërkim policor.

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›