Prokuroria, eksperiment me të plagosurit e 21 janarit para Kryeministrisë
Nga demonstrata e 21 janarit
Kërkohet pyetja edhe për dy persona të larguar në Greqi pas ngjarjes.
Dy të plagosurit kthehen në vendngjarje për eksperiment.
Efektivat e Gardës së Republikës, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri më 21 janar, rrezikojnë, veç akuzës së vrasjeve për ata që kanë dalë me ekspertizë si të tillë, edhe akuzën e plagosjes në rrethana të cilësuara. Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur më 21 janar si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga efektivat e Gardës së Republikës. Organi i akuzës ka dokumentuar në dosjen penale të 21 janarit plagosjen e shtetasve Erald Bisha, Ilia Qesku, Sokrat Gode, Ilia Papa dhe gazetarit Fatos Mahmutaj. Ndërkohë, janë marrë informacione edhe për plagosjen e një personi të gjashtë të identifikuar me emrin Arten Dybeli, mirëpo në dosje nuk ka shumë prova për këtë person, pasi ai është larguar nga spitali para se të evidentohej dhe të merrej në pyetje në lidhje me dëmtimet që kishte pësuar nga goditja me armë. Në kuadër të hetimeve në lidhje me ngjarjen, prokuroria ka saktësuar vendet ku ndodheshin secili nga të plagosurit, mirëpo në këtë proces ka pasur edhe vështirësi. Kështu, dy të plagosurit, Erald Bisha dhe Sokrat Gode, janë gjetur dhe janë nxjerrë në bulevard dhe u është kërkuar që të sqarojnë konkretisht ku kanë qenë në momentin që janë prekur nga plumbat e armëve. Sipas sqarimeve të tyre, shpjegimet e dhëna mbi vendndodhjen e të plagosurve janë mbajtur në procesverbal, ndërkohë që për gazetarin Fatos Mahmutaj është sqaruar se ka qenë pranë Hekuran Dedës kur është qëlluar me plumb në dorë. Për dy persona të tjerë të plagosur më 21 janar, prokuroria ende nuk ka arritur të saktësojë ndonjë të dhënë, pasi rezulton se ata aktualisht janë jashtë Shqipërisë. Grupi i hetimit ka marrë informacion se shtetasit Ilia Papa dhe Ilia Qesku ndodhen në Greqi. Organi i akuzës tha se është duke parë mundësinë e pyetjes së tyre në lidhje me rrethanat e plagosjes.
Dështojnë fotot e videot
Një numër prej 32 fotografish, së bashku me filmime të mediave të ndryshme televizive, por edhe regjistrime të bëra nga protestues, ishin dërguar për ekspertizë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të hetimeve për 21 janarin. Prokuroria kishte kërkuar zmadhimin e pamjeve dhe qartësimin e tyre me qëllim që të kuptoheshin më mirë veprimet që bënin gardistët dhe po ashtu, nëse ishte e mundur, të identifikohej fytyra e tyre. Sipas burimeve nga organi i akuzës, fotografitë dhe videot janë pastruar në një shkallë të madhe, por fokusi i tyre nuk ka qenë i tillë sa të identifikojë ndonjë gardist. Burimet nga grupi i hetimit kanë thënë se filmimet amatore të kryera nga shtetasi Hysni P., që ndodhej pranë Hekuran Dedës, kanë kapur një gardist që qëllon në mënyrë të rrezikshme në lartësinë e njerëzve.
Vrasjet
Hetimet e deritanishme të prokurorisë kanë zbuluar gardistët e dyshuar për tri vrasje. Zv.shefit të Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, Agim Llupo, i faturohet vrasja e Ziver Veizit, ndërsa dyshohet edhe për vrasjen e Hekuran Dedës. Ndërkohë, komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, akuzohet se ka vrarë shtetasin Faik Myrtaj, protestues i ardhur nga Fieri më 21 janar në Tiranë. Sipas Prokurorisë, pa u zbardhur ka mbetur vrasja e Aleks Nikës, pasi predha e gjetur në trupin e tij ka ngjashmëri me armët e Gardës, mirëpo nuk përputhet plotësisht. Sipas akt-ekspertimit të FBI-së, “predha me nr. Q4 (predha e gjetur në trupin e viktimës Aleks Nika) dhe predha nr. Q2 (predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi), peshojnë afërsisht 123 grain (8 gramë) dhe kanë dalë nga një tytë me gjashtë vjaska të thelluara dhe të ngritura nga e djathta. Për shkak të mungesës së shenjave korresponduese mikroskopike me vlerë, këta plumba (predha) nuk mund të identifikohen si të qitura nga e njëjta tytë.
Të plagosurit, me plumba tejshpues
Organi i akuzës ka pasur vështirësi në hetimin e plagosjes së gjashtë personave më 21 janar për shkak se të gjithë të lënduarit kanë pasur predha tejshpuese. Ata janë qëlluar kryesisht në gjymtyrë, në duar ose në këmbë, por predhat kanë qenë tejshpuese. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes, prokuroria dhe policia nuk kanë arritur të gjejnë predhat që kanë goditur të plagosurit dhe, për rrjedhojë, ishte e pamundur që të përcaktohej shkencërisht se cila armë i kishte goditur ata. Për këtë shkak, organit të akuzës i është dashur të bëjë hetime komplekse për të përcaktuar cili person është plagosur dhe nga cili gardist ka qenë projeksioni më i mundshëm i të shtënave.
Hetimi: Në vendngjarje u gjetën 131 gëzhoja
Sipas Prokurorisë së Tiranës, efektivat e Gardës së Republikës kanë qëlluar 131 herë me plumba luftarakë gjatë protestës së 21 janarit te Kryeministria. Pas mbërritjes së grupit hetimor në vendin e ngjarjes, 131 gëzhoja mësohet se janë gjetur brenda rrethimit të Kryeministrisë. Gjetja e gëzhojave ka shërbyer jo vetëm për ekspertizat e armëve, por edhe për përcaktimin e pozicionit ku janë ndodhur efektivat e Gardës në momentin që kanë qëlluar me armë zjarri. Sipas Prokurorisë, personat që kanë qëlluar më shumë kanë qenë anëtarët e “grupit të zjarrit”, përfshi edhe Agim Llupon. Po kështu, sipas hetimeve, 11 herë ka qëlluar me pistoletë edhe vetë komandanti i Gardës, Ndrea Prendi.
TRAZHGIM SOKOLAJ