Pronat tona, terroristët po mbrohen nga Gjykata e Lartë

Selvie Kurteshi në qendrën e bamirësisë për fëmijë
Selvie Kurteshi denoncon uzurpimin e tokës dhe kërcënimet me jetë.
Sot, për herë të katërt në Gjykatën e Shkallës së Tretë.
Sot pritet të zgjidhet përfundimisht çështja për pronat e romëve, të tjetërsuara me forcë nga shtetas arabë të dëbuar nga Shqipëria. Pas 12 vitesh zvarritjesh gjyqësore, në orën 10:40 është seanca e gjykimit për herë të katërt në Gjykatën e Shkallës së Tretë. Sipërfaqja e tokës ndodhet në hyrje të Yzberishtit, në kryqëzimin në fund të Rrugës së Kavajës me Unazën e Re. Bëhet fjalë për tokën, që u është dhënë disa familjeve rome sipas ligjit 7501, për të cilat disponojnë edhe certifikatën origjinale të pronësisë. Pavarësisht dokumentit më të rëndësishëm që vërteton pronësinë, ata që prej vitit 2000 nuk mund ta përdorin tokën dhe madje kërcënohen vazhdimisht me jetë. Edhe pas denoncimit publik që bëra para dy ditësh në gazetën Panorama, kam marrë sërish paralajmërime, që të heq dorë prej pronave të mia. Po e theksoj edhe një herë, janë disa shtetas arabë, dy ndër të cilët janë dëbuar nga Shqipëria si terroristë, që më kanë kërcënuar vazhdimisht. Quhen Mithat Almanzolavi dhe Hekri Elmazi. Kur kanë qenë në Shqipëri, para se të dëboheshin, më kanë kërcënuar personalisht, ndërsa tashmë më dërgojnë persona të tjerë, thotë Selvie Rushiti Kurteshi, njëra prej përfaqësuesve të familjeve rome që trashëgojnë pronën në fjalë, e cila dy ditë më parë rrëfeu për gazetën gjithë kalvarin gjyqësor. Dy personave të mësipërm, gruaja rome e cila njihet gjerësisht për bamirësi, u shton edhe një emër të tretë, shqiptar. Njësoj ka vepruar e vepron edhe Fadil Duraku, vëllai i biznesmenit të njohur të karburanteve, që merret me mend kollaj. Ata kanë influencë të madhe në Hipotekë, me përgjegjësin e degës së Tiranës, Feta Hasani. Durak-ët kanë vënë dy karburante pa leje në pronat e mia prej shumë vitesh dhe mua më kanë përzënë nga toka ime. Sa herë kam tentuar të kthehem aty dhe të marr çfarë më takon, më kanë rrahur mua dhe të afërmit e mi. Ka ardhur kushedi sa herë policia këtu, por ne romëve nuk na përkrah njeri, na shkelin e nëpërkëmbin. Pala tjetër për çdo gjë hedh para, por ne nuk kemi. Edhe po të kemi, nuk i hedhim për të marrë gjëra, që na takojnë me ligj. Kur siguroj ndonjëherë pak para, me ato ushqej dhjetëra fëmijë që nuk kanë çfarë të hanë e flenë rrugëve, shprehet Selvia, e cila për çdo ditë u jep për të ngrënë 100 fëmijëve romë, i mëson dhe i edukon në qendrën e bamirësisë Zemra e nënës. Ajo e ka sajuar këtë institucion brenda ambienteve të shtëpisë me shumë modesti, por e gjen gjithnjë plot. Po më mbajnë peng pronën time prej 12 vitesh dhe nuk e kuptoj se pse nuk po mbaron procesi. Disponoj që nga viti 1993 dokumentin e marrjes në pronësi të tokës. Në vitin 1997, kur u bë azhurnimi i zonës kadastrale, morëm dhe certifikatën e pronësisë pa asnjë problem. Vetëm kur në vitin 2000 u ndodhëm para faktit të kryer se dy shtetasit arabë ishin pronarë të tokës sonë që është e regjistruar zyrtarisht si tokë bujqësore, ndërsa ata e paraqesin si truall. Madje, duke ia shitur Fadil Durakut. Jemi në vitin 2012 dhe kjo çështje ende nuk po zgjidhet. Ndaj, nuk i jap dot shpjegim tjetër, veçse Gjykata e Lartë po mbron terroristët islamikë që po na vjedhin pronat. Me mosmarrjen e vendimit, kjo Gjykatë bëhet bashkëpunëtore e terroristëve. I tillë është dhe Feta Hasani, akuzon ashpër Selvia. Për akuzat shprehet se mban përgjegjësi kur i thotë dhe është e gatshme të ballafaqohet me fakte.
Historia e tokës
Sipërfaqja e tokës ndodhet në hyrje të Yzberishtit, në kryqëzimin në fund të Rrugës së Kavajës me Unazën e Re. Në vitin 1938, kjo tokë është blerë nga shteti shqiptar dhe deri në vitin 1946 kur është bërë reforma agrare, ka vijuar të jetë e tillë. Me krijimin e kooperativave bujqësore, kjo tokë iu dha kooperativës Vilhelm Pik, ku romët ishin bashkëthemelues të saj. Më pas, kjo tokë iu dha ndërmarrjes bujqësore 17 Nëntori dhe në fund të viteve 90 iu kalua Institutit të Perim-Patateve për eksperimentime. Pas miratimit të ligjit 7501, Komisioni Qeveritar i Tokës vendosi që sipërfaqja tu jepej banorëve të Yzberishtit që kishin qenë bashkëthemelues në kooperativën Vilhelm Pik, komuna Kashar, ndër to edhe Selvie Kurteshit.