E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, Apeli merr vendim për qarkun: Muçogeba i ligjshëm

GJIROKASTER – E gjithë procedura e ndërmarrë në mbledhjen konstituese të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës të 20 shtatorit ka qenë tërësisht legjitime. Ka qenë ky vendimi i djeshëm, i dhënë nga ana e Tomorr Skrelit, kryesuesit të trupit gjykues në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër, rreth ligjshmërisë, e cila futi në polemikë të stërzgjatur Këshillin e Qarkut dhe institucionin e prefektit në Gjirokastër. Me këtë rast ka çmuar, rrjedhimisht, edhe si të ligjshëm faktin, që kreu i këtij institucioni të zgjedhur me votat e të majtëve më 20 shtator të vitit të kaluar, ka marrë rrogën si nëpunës i administratës së Qarkut deri ditën kur u zgjodh në krye të tij. Për gazetën “Panorama”, nënkryetari Panajot Lula, fill pas vendimit të dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit, deklaroi se vendimi vërtetoi katërcipërisht se institucioni i prefektit, pretendimet nuk i kishte të bazuara në ligj, por në orekse politike, për të deligjitimuar veprimet zgjedhore të mbledhjes së datës 20 shtator 2011. Dukej se drejtuesit e Qarkut ishin vënë në dijeni të këtij vendimi, pasi kishin përgatitur terrenin për të drekuar në një prej restoranteve të qytetit ku ishin bërë edhe porositë për 60 persona. Tashmë raportet e këshilltarëve të majtë në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës janë 23 këshilltarë të PS+PBDNJ dhe 21 këshilltarë PD dhe aleatët e tyre. Raporti i brishtë mes dy krahëve mund t’i krijojë probleme kreut të këtij këshilli, Sulo Muçobega, për kalimin e strukturës së re të këtij organi.      p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›