E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë, procedim 5 gjyqtarëve

Eduard Halimi

Inspektimi, dalin me shkelje një gjyqtar i Tiranës, tre në Durrës dhe një në Mat.

Halimi: U shkaktuan bankave 2 miliardë lekë dëm.

Pesë gjyqtarë janë nën hetim nga Ministria e Drejtësisë për shkaktim dëmi financiar ndaj bankave. Një gjyqtar në Tiranë, një në Mat dhe tre në Durrës, sipas dikasterit të drejtësisë kanë pushuar ekzekutimin e kredive të dhëna nga bankat, duke shkaktuar një dëm financiar rreth 2 miliardë lekë. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Drejtësisë, e cila tha dje se, në mbështetje të ligjit Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, ka filluar procedimin disiplinor për 5 gjyqtarë të gjykatave të Shkallës së Parë për shkelje të rënda procedurale në çështjet civile. Një prej tyre ushtron veprimtarinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, 3 gjyqtarë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe 1 gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, tha zyra për shtypin në Ministrinë e Drejtësisë. Procedimet ndaj gjyqtarëve janë bazuar në rezultatet e dala prej dy inspektimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë. Inspektimet janë zhvilluar për verifikimin e çështjeve gjyqësore me të paditur apo person të tretë bankat e nivelit të dytë, ku gjyqtarët e proceduar kanë pezulluar ekzekutimin e kredive të këqija, me pasojë dëmtimin e rëndë të sistemit bankar. Shkeljet e ligjit të kryera nga gjyqtarët kanë favorizuar debitorët e bankave të nivelit të dytë, tha Ministria e Drejtësisë. Sipas saj, me këto procedime ndaj gjyqtarëve abuzues realizohet mbrojtja e dinjitetit e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, mbrojtja e interesit publik, si dhe e interesave të ligjshëm të personave fizikë dhe juridikë.
KREDITË E KËQIJA
Çështjet për të cilat akuzohen pesë gjyqtarët e proceduar nga Ministria, kanë të bëjnë me kredi të dhëna nga bankat të cilat janë klasifikuar si kredi të këqija për shkak të mospagimit të kësteve në afatin e caktuar. Në këto raste, me kalimin e një afati, banka bën padi në Gjykatë dhe kërkon nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit me qëllim sekuestrimin e garancisë së lënë nga kredimarrësit. Ky operacion ligjor i bankës tenton ruajtjen e parave të dhëna, ndërsa gjykatat në përgjithësi vendosin pro dhe ia kalojnë urdhrin Përmbarimit për ekzekutim. Këtu ndodh edhe pjesa subjektive e çështjes, pasi Përmbarimi në shumicën e rasteve i ekzekuton urdhrat e gjykatës, por ka raste që urdhri nuk ekzekutohet. Ky mosekzekutim për arsye të ndryshme zgjat në kohë aq sa zbatimi i vendimit të gjykatës del nga afati ose nga kriteret ligjore dhe, për rrjedhojë, gjykata mund të vendosë edhe pushimin e ekzekutimit të kredisë. Në këtë rast ajo që humb është banka, pasi ka dhënë paratë e veta kredi dhe përfituesi nuk kthen shumën e marrë, por edhe bankës nuk i mbetet asnjë mundësi për kthimin e parave. Kështu ka ndodhur me pesë gjyqtarët, që në total u kanë shkaktuar bankave humbje në rreth 2 miliardë lekë me vendimet e tyre.

DOSJET TE GJYQTARËT
Pas përfundimit të procedurës së kontrollit për vendimet e dhëna nga gjykatat, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar pesë gjyqtarët e çështjeve civile. Atyre mësohet se u janë dhënë në dorëzim materialet e Ministrisë së Drejtësisë së bashku me dokumentet dhe provat ku bazohen akuzat e ngritura. Gjyqtarët pritet të japin argumentet e tyre në lidhje me vendimet që kanë dhënë dhe më pas procedura vazhdon në KLD, ku votohet për masën që do të jepet ndaj gjyqtarëve.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›