E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 6 baxho,“falsifikonin” djathin

• LUSHNJE - Rrezikojnë të mbyllen 6 baxho në qytetin e Lushnjës, pasi si lëndë të parë për prodhimin e djathit, ato përdorin niseshtenë.Këto rezultate kanë dalë pas analizave të kryera nga Inspektorati Higjieno-Sanitar, pranë Laboratorit Kimik në rrethin e Fierit. Prej shumë kohësh, këto subjekte prodhuese abuzonin me konsumatorin, duke u sevirur atyre në treg një prodhim jo origjinal, por të falsifikuar në njëfarë mënyre. Sipas Kastriot Balit, inspektor i ushqimit në Drejtorinë e Bujqësisë, në mënyrë kategorike nuk do të jepet asnjë lloj licence për krijimin e baxhove të reja, në qoftë se ato nuk përmbushin më parë kritere të caktuara nga leja teknologjike. “Prej mëse dy muajsh, inspektorati ynë po ushtron kontroll të herëpashershëm dhe, realisht, jemi befasuar nga rezultatet paraprake që kanë dalë nga këto kontrolle. Konsumatori ndodhet në rrezik, pasi persona të papërgjegjshëm, për përfitime personale, janë të gatshëm të përdorin çdolloj metode, duke mos menduar fare për pasojat shëndetësore që mund t’u shkaktohen të tjerëve, në rastin konkret, blerësit. Nga kontrollet që kemi kryer më parë, jemi mjaftuar me disa masa administrative jo shumë penalizuese, por tashmë ka ardhur koha që abuzuesit të vendosen përpara ligjit”, shprehet për gazetën “Panorama”, Kastriot Bali. Gjithashtu, zoti Bali thekson, se në të njëjtën kohë, në qytetin e Lushnjës janë konstatuar se shumë mallra vazhdojnë të shiten në treg, edhe pse afati i përdorimit të tyre ka skaduar. Për shkelje të mësipërme, janë penalizuar disa dhjetëra subjekte dhe, në të njëjtën kohë është bërë asgjësimi në vend i këtyre mallrave, dëmi i të cilave arrin në rreth 30 milionë lekë të vjetra.           m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›