E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga për korrupsion drejtorit të Pyjeve

• MIRDITE - Arrestohet drejtori i shërbimit Pyjor të Mirditës, Artan Miza. Burime të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se dje në mbrëmje, rreth orës 20.30 minuta, është bërë arrestimi i titullit Miza, në momentin që ai ndodhej në një lokal në Laç.Sipas të njëjtave burime, mësohet se Miza ishte shpallur në kërkim 24 orë më përpara, kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë kishte marrë masën e arrestit ndaj tij, pas disa denoncimeve të kryera nga ana e firmave që shfrytëzonin pyjet në rrethin e Mirditës. Sipas burimeve të informacionit, Artan Miza, “u kishte marrë firmave që kanë kryer denoncimin shuma të mëdha parash, deri në 20 milionë lekë të reja, duke iu garantuar atyre edhe dhënien e lejes së shfrytëzimit të pyjeve në këtë rreth”. Akuzat e ngritura ndaj tij deri në këto momente janë ato të “korrupsionit pasiv” dhe njëkohësisht “mitmarrjes”. Burime të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se denoncimet ndaj drejtorit të shërbimit Pyjor Mirditë janë kryer që tre muaj më parë. Ndërkohë që me vendim prokurorie ishte bërë e mundur edhe përgjimi i të gjitha telefonatave që drejtori i pyjeve kishte kryer me klientët e tij si dhe bisedat që kishte bërë edhe me pronarët e firmave të shfrytëzimit të pyjeve, për dhënien e këtyre lejeve të shfrytëzimit. Në momentin e arrestimit, Miza nuk ka kundërshtuar policinë, ndërsa i është bindur urdhrave të saj, duke përfunduar në komisariatin e policisë së Lezhës. Ndërsa hetimet e deritanishme dhe në vazhdim do t’i kryejë sektori i krimit ekonomik pranë kësaj drejtorie.Burime nga Prokuroria nuk kanë saktësuar se sa pronarë firmash kanë firmosur denoncimin ndaj Mizës, por bëjnë të ditur se tashmë dosja është e kompletuar dhe pritet që Miza të dalë për marrjen e masës së sigurisë në gjykatë. Miza nuk kishte shumë kohë që ishte vendosur në krye të ndërmarrjes pyjore të rrethit të Mirditës dhe njëkohësisht është duke u hetuar edhe për abuzime të tjera me detyrën e tij.          r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›