E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta nacionaliste

• Koço DanajPërballë traktateve politike të ardhura nga qendra e Metropolit Evropian dhe i krahasuar me ato, pohimi i sipërthënë nuk është pjesë e tyre. Përballë realitetit të Shqipërisë dhe të vetë kombit shqiptar në Tiranë ...Prishtinë, Tetovë, Preshevë, Ulqin, pohimi i sipërthënë përbën thelbin e gjysmës së politikës shqiptare. Përballë nocioneve shekullore, perandori, internacionalizëm, kozmopolitizëm, integritet, globalizëm etj, pohimi i sipërthënë tek shqiptarët është më i ri në moshë. Por është më realisti dhe më i domosdoshmi. Është më i papërpunuar, por më i detyruar. Më i pambrojtur, por më i nevojshëm. Nocionet e tjera janë moda e politikës aktuale, e majta nacionaliste duhet të jetë thelbi i politikës së majtë. Nocionet e tjera janë një zvarritje, një bishtnim i traktateve të ardhura nga qendra e metropolit. E majta nacionaliste është prodhim i periferisë s­ë Metropolit që quhet Shqipëri. Kombi shqiptar ka nevojë për një të majtë, ashtu siç ka nevojë për një të djathtë. Por kjo nuk mjafton. Ajo duhet të ketë vetëm një cilësor dhe ai duhet të jetë: E Majtë Nacionaliste.Përse?Sepse kombi shqiptar është akoma një komb i paunifikuar, sepse shteti i parë shqiptar kufizohet në të gjithë kufirin e tij tokësor herë si origjinë dhe shumica si realitet me kombin e tij.  Një komb i pakonsoliduar kërkon një të majtë nacionaliste. Përse?  Sepse kombi shqiptar është në prag të konsolidimit të tij pas 95 vjet ëndërr. Shteti i dytë shqiptar i Kosovës, gjysmë shteti  shqiptar i Maqedonisë janë të përkohshëm. Proceset integruese për shqiptarët nuk janë njëkalimshe vetëm drejt Brukselit, por janë shumëkalimshe; edhe drejt Prishtinës, Tiranës, Tetovës etj. Baza e kombit shqiptar e ka kuptuar një gjë të tillë, prandaj po kërkon edhe politikën e tillë. Por e majta e kombit shqiptar është akoma internacionaliste, është integriste, është kozmopolite. Vështirë se mund të gjesh ndonjë vend tjetër, ku e majta e politikës të jetë kaq armike e nacionalizmit të bukur shqiptar sesa e majta shqiptare. Ku shfaqet urrejtja e së majtës ndaj nevojës së nacionalizmit? E para: Përgjatë 17 vjetëve, drejtuesit kryesorë të së majtës shqiptare në Tiranë nuk kanë pranuar të artikulojnë faktin e njohur historik se kombi shqiptar ka qenë coptuar në 5 shtete dhe se ky copëtim përbën një ndër padrejtësitë më të mëdha të shekullit të 20-të. Në asnjë rast, Nano, Mejdani, Meta, Rama apo Majko nuk kanë artikuluar idenë e bashkimit të kombit shqiptar duke e konsideruar atë si një fosile historike. E dyta: E majta në Kosovë ndodhet në drejtim të qeverisë së Kosovës. E majta në Tetovë ishte në drejtim për 4 vjet, tani ndodhet në opozitë dhe në qeverisje të pushtetit lokal.  Në qoftë se të majtës në Tiranë i kërkohet të jetë edhe nacionaliste për shkak të kombit të pabërë, të majtës shqiptare në Tetovë dhe Prishtinë i kërkohet të jetë nacionaliste për shkak se shqiptarët nuk kanë edhe shtet, edhe të drejta, ose nuk kanë as flamur. Dhe këtu fillon paradoksi: Sa më pak të drejta kanë shqiptarët në Maqedoni, aq më internacionalistë bëhen drejtuesit e BDI në Tetovë, Ali Ahmeti dhe Teuta Arifi. Institucionet maqedonase vrasin shqiptarë dhe ata flasin për integrime evropiane. Institucionet maqedonase përdhosin flamurin shqiptar dhe ata flasin për dashurinë ndaj Maqedonisë. Institucionet maqedonase nuk lejojnë gjuhën shqipe dhe ata thonë: Maqedonia është atdheu ynë, duke mohuar atdheun e vërtetë. Dhe këtu fillon edhe paradoksi tjetër. Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Emrush Xhemajli, Nait Hasani, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj, Bajrush Xhemajli, Adem Grabovci etj., e kanë origjinën e tyre politike nga një organizatë e cila kishte në programin e saj edhe bashkimin e trojeve shqiptare.(LPRK quhej organizata ilegale). Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi e kanë origjinën nga një organizatë e quajtur OMLK e cila kërkonte bashkimin me Shqipërinë. Ata e kanë origjinën nga një Ushtri Çlirimtare e cila kishte në formulën e betimit të saj, krahas të tjerave edhe bashkimin e trojeve shqiptare. Kjo formulë betimi është emërtuar Projekti Politik Adem Jashari. Ndërsa sot, në programet e tyre partiake nuk ekziston ideja e bashkimit. Por nuk ekziston as ideja e të qenit shqiptar. Shqiptarët në Kosovë nuk kanë akoma shtetin e tyre dhe ata flasin për integrime evropiane. Shqiptarët sot në Kosovë kërkojnë të jenë shqiptarë, ndërsa ata pak nga pak po tjetërsohen, duke u quajtur kosovarë. Disa prej tyre priren nga parulla : Shqiptarët në Kosovë në shumicë kërkojnë të bashkohen me Tiranën, ndërsa ata në shumicë flasin për miqësi me Beogradin.Në qoftë se do të lypsej një parullë për të shprehur thelbin e veprimtarisë se tyre politike, ajo do të formulohej kësisoj : Rroftë Internacionalja Socialiste, Poshtë Shqipëria.Tabloja e mësipërme nuk do të ishte e plotë pa thënë se sa më shumë internacionalizohet e majta shqiptare në Tiranë, Tetovë, Prishtinë, aq më shumë po nacionalizohet baza e saj në të gjithë hapësirën shqiptare. Nacionalizimi i saj është shprehja më e qartë e evropeizmit dhe kulturës moderne. Sot kjo bazë majtiste, ka pak përfaqësues, ajo më shumë ka genin inatçor. Nacionalizmi i ndrojtur i Pëllumb Xhufit në Tiranë, i Nait Hasanit në Prishtinë, i Bardhyl Mahmutit në Tetovë është pak, shumë pak.  Por kemi të bëjmë më një proces të pakthyeshëm. Shqiptarët kanë nevojë për një të Majtë Nacionaliste. Dhe në vitet e ardhshme do ta kenë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›