E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen akset rrugore

PROTESTA NË GJITHË VENDIN


Shkodër, dy të shoqëruar pas protestave në rrugë


SHKODËR - Përkrahës e anëtarë të PS-së në qarkun e Shkodrës kanë zhvilluar një protestë kundër qeverisë dhe në përkrahje të grevistëve të urisë, duke bllokuar për rreth 30 minuta aksin nacional Shkodër -Tiranë, në vendin e quajtur Kryebushat. Protestuesit me parulla në duar dhe me thirrje si "O Sali, o hajdut, votat tona ku i ke fut", "Poshtë Qeveria" janë ulur në asfaltin e rrugës nacionale.


Më pas nën tingujt e një fyelli dhe improvizimit të asaj që folklori e njeh si "gjëma e vajtimit të burrave" të Malësisë së Shkodrës, një grup nga protestuesit kanë demonstruar vajtimin e kryeministrit Berisha. Mes tyre ka pasur të ardhur dhe nga Puka e Malësia e Madhe, si dhe tre deputetët e PS-së për këtë qark Tom Doshi, Astrit Beci e Ndue Kola.


Ndërsa kryetari i bashkisë Pukë, Rustem Struga, ka theksuar se "jemi në mbështetje të 202 heronjve të demokracisë që janë ngujuar në grevë urie vetëm për elemente të demokracisë që nuk i arritëm për 20 vite, votën e lirë". Protesta është ndjekur nga forcat e policisë së Shkodrës dhe FNSH, por nuk ka pasur ndonjë incident as përplasje mes palëve. Policia ka deklaruar se nuk ka pasur njoftim, as kërkesë për të lejuar zhvillimin e kësaj proteste sipas ligjit, por megjithatë gjithçka ka shkuar rregullisht.


Pas përfundimit të protestës, kryetari i komunës Temal, Mark Zhuri, ka deklaruar se dy pjesëmarrës në protestë nga kjo zonë, Gjelosh Guri dhe Ndue Shkëmbi, janë shoqëruar në polici nga ana e efektivave të qarkullimit rrugor. Sipas Zhurit, "ky është një presion i pastër i shtetit i cili po përpiqet të dhunojë shtetasit e vet". Lidhur me këtë, burime nga policia bënë të ditur se shoqërimi i dy personave është bërë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.


Berat, 1000 protestues bllokojnë për një orë Kryqëzimin e Poshnjës
Në mbështetje të protestave të nisura më 30 prill, Partia Socialiste Dega Berat ka përshkallëzuar protestën e saj duke bllokuar për rreth 1 orë rrugën nacionale Berat - Tiranë, e konkretisht në Kryqëzimin e Poshnjës, ku degëzohen rrugët Berat - Fier dhe Berat - Lushnjë.


Rreth 1000 protestues të ardhur nga Skrapari, Kuçova, Ura Vajgurore dhe Berati ndaluan në kryqëzim në orën 12:30 - 13.30 duke bllokuar gjithë qarkullimin e automjeteve që vinin nga Fieri e Lushnja e anasjelltas, e duke krijuar një kaos të pazakontë.


Protestuesit, të drejtuar nga deputetët e Qarkut të Beratit, Fidel Ylli e Erion Braçe, më të shumtën e kohës qëndruan ulur në asfalt dhe hodhën parulla kundër qeverisë e në mbështetje të grevistëve të ngujuar prej 12 ditësh në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.


Binin në sy parulla të tilla, si: "Duam shtet, dhe jo mbret!", "Jemi me grevistët", "Poshtë qeveria" dhe për herë të parë protestuesit kanë hedhur parulla edhe kundër zëvendëskryeministrit Ilir Meta, si ish-deputet i PS-së për këtë qark, duke ironizuar koalicionin e tij me Berishën.


Në këtë aksion të ri politik të PS-së nuk pati asnjë incident dhe forcat e policisë qëndruan korrekte. Protesta u mbyll me qëndrimin e protestuesve për 1 minutë shtrirë në asfalt, një simbolikë kjo për grevistët e grevës së urisë. Më pas protestuesit u nisën drejt Tiranës për të vijuar mbështetjen e tyre ndaj 200 grevistëve.

Protesta, dy të shoqëruar në policinë e Vlorës


Socialistët e Vlorës kanë vijuar të përshkallëzojnë protestat e nisura në shenjë solidariteti me protestat që po zhvillohen në Tiranë dhe grevën e urisë. Në orët e mesditës ata kanë bllokuar rrugën hyrëse të qytetit. Gjatë protestës është përshëndetur në emër të të rinjve, grave, intelektualëve, forcave politike aleate, ndërsa ka qenë i pranishëm edhe deputeti socialist Fatmir Toçi.


"Vlora e ka thënë fjalën e saj dhe do ta thotë fort edhe në 14 maj në kryeqytet", tha ndër të tjera deputeti socialist. Në protestë është bërë edhe njëherë prezente vendosmëria për kauzën e nisur. Pas protestës që ka zhvilluar Partia Socialiste dhe aleatë të saj, policia e Vlorës ka shoqëruar dy persona që kanë marrë pjesë në miting.


Kujtim Myrto, kryetari i konfederatës dhe Festim Çobo, nënkryetar i PSD-së, janë shoqëruar dhe pasi janë marrë në pyetje janë liruar nga ambientet e policisë. Menjëherë më pas kanë dalë në konferencë për shtyp nga selia rozë, sekretari organizativ për degën e Vlorës, Kujtim Sulçe.


Ai denoncoi aktin e policisë, ndërsa tha se tubimi ishte me leje dhe paqësor. Nënkryetari i PSD-së të Vlorës, Çobo, pasi ka bërë me dije se është marrë në ambientet e policisë, tha se këto janë forma të dhunimit që po i bëhet opozitës.


Gjirokastër, protestuesit bllokojnë për 30 minuta aksin kombëtar


GJIROKASTËR- Dega lokale e Partisë Socialiste në Gjirokastër ka organizuar protestën e radhës, në mbështetje dhe solidaritet të plotë me grevistët e urisë dhe protestat e vazhdueshme të opozitës. Rreth orës 13:00 të mesditës, përfund qytetit të Gjirokastrës, protestuesit me pankarta në duar kanë bllokuar për 30 minuta rrugën kombëtare Gjirokastër- Tepelenë.


Me thirrjet "Hap kutitë ose ik", "Jemi me ju" protestuesit, ku nuk kanë munguar edhe dy deputetët socialistë të qarkut, Arta Dade e Ethem Ruka, kanë kërkuar transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar.


"Sali Berisha mashtron edhe për liberalizimin e vizave. Ata mashtrojnë edhe intelektualët, edhe artistët. Dhjetëra mesazhe më kanë ardhur sot nga artistë të nderuar, që na përshëndesin në nismën tonë fisnike", është shprehur deputetja Dade.


"Ky është vetëm fillimi i protestave tona dhe ato nuk kanë për t'u ndalur, derisa shtetarët dhe krimi, që janë ulur në të njëjtën tavolinë, të largohen njëherë e përgjithmonë", ka deklaruar deputeti Ruka. Protesta është mbikëqyrur nga dhjetëra efektivë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe pas 30 minutash ka përfunduar pa probleme. Organizatorët kanë deklaruar të tjera protesta në zona të tjera të qarkut gjatë ditëve të ardhshme.


Bllokohet autostrada Durrës-Tiranë, ndalohen katër vetë


DURRËS - Rreth orës 13:00 të ditës së martë është bllokuar rruga Durrës-Tiranë në afërsi të mbikalimit që lidh rajonin e Shkozetit me lagjen e ish-kënetës në Durrës. Protestuesit kanë hedhur parulla në mbështetje të grevistëve të urisë në Tiranë.


Një automjet tip fuoristradë me targa të huaja, pas një përballje me protestuesit ka çarë gardhin e krijuar dhe ka vijuar rrugën. Fuoristrada ka qenë me targa të huaja CF 766 ËM dhe disa pjesëtarë të mitingut thanë se personi që shkëmbeu fjalë me turmën ishte Xhemal Lusha (shef i qarkullimit rrugor).


Protesta ka vijuar për rreth gjysmë ore, ndërkohë në autostradë është krijuar një trafik i ngjeshur. Policia ka njoftuar pjesëmarrësit se bllokimi i rrugës përbën çështje penale dhe do të ndëshkohet ligjërisht. Protestuesit kanë çarë rrjetin e policisë dhe me këngë të rilindjes "Eja mblidhuni këtu këtu, bashkë me ne" kanë dalë në rrugë dhe janë ulur në trasenë e rrugës automobilistike.


Ndërkohë, burime jozyrtare bëjnë të ditur se nga Drejtoria e Policisë kishte ardhur porosia për ruajtjen e gjakftohtësisë gjatë protestave për të mos u përleshur, por për të evidentuar çdo person pjesëmarrës me mjete filmike, për t'i dërguar më pas në gjyq me fakte të dokumentuara.


Policia e Durrësit pas protestës së bllokimit të rrugës ka shoqëruar për në komisariat 4 vetë, të cilët sipas kryesisë së PS-së janë: Afrim Duka, Erion Bregasi, Seit Xhunga, Afërdita Koka. Një grup protestuesish kanë shkuar para drejtorisë së policisë dhe kanë kontaktuar me oficerët. Para tyre ka shkuar kryetari i Bashkisë Vangjush Dako dhe pasi ka biseduar i është thënë se do të lirohen. Një grup i madh njerëzish ka qëndruar në pritje të lirimit të tyre.

Në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se "gjatë ditës së martë, një numër i kufizuar i qytetarëve, kanë bllokuar plotësisht ose pjesërisht, për rreth 4-10 minuta, rrugët në akset kryesore të qyteteve, përkatësisht:
Në Shkodër, në Kryebushat në aksin rrugor Shkodër-Lezhë,
Në Tiranë, në Rrugën e Elbasanit tek Ura e Farkës,
Në Gjirokastër, në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër,
Në Durrës, në autostradën Durrës-Tiranë, në Shkozet,
Në Vlorë, në hyrje të qytetit të Vlorës,
Në Fier, në rrethrrotullimin e Kolonjës, në autostradën Fier-Lushnjë,
Në Lezhë, tek kryqëzimi i Patokut, në aksin rrugor Lezhë-Laç,
Në Berat, tek kthesa e Poshnjës, në aksin rrugor Berat-Lushnjë.


Policia e Shtetit, në zbatim të akteve ligjore, në çdo rast ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme.
Në kuadër të këtyre masave dhe në zbatim të ligjit, strukturat e Policisë së Shtetit i bëjnë thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi "pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet.


Nga strukturat e Policisë së Shtetit po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme në të gjitha qarqet e sipërcituara dhe materialet procedurale për çdo rast do t'i referohen Prokurorisë për veprën penale "pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit".

***********************

Bllokohet aksi Lezhë-Tiranë, një i arrestuar


Ashtu si në shumë akse kryesore në të gjithë vendin rreth orës 13:00 është bllokuar edhe autostrada Lezhë-Tiranë, tek mbikalimi në kryqëzimin e Patokut. Në krye të mbështetësve të PS-së, që qëndruan për 30 minuta "këmbëkryq" në superstradë ishin deputetët e qarkut të Lezhës, Gjokë Jaku dhe Armando Prenga.


Deputeti Jaku u shpreh se "e gjithë Shqipëria është solidarizuar me grevistët, për sakrificën e tyre sublime në kërkim të transparencës së zgjedhjeve. E drejta e opozitës është të protestojmë në rrugë paqësore, pasi kjo qeveri po injoron prej 10 muajsh kërkesat e opozitës".


Deputeti Armando Prenga pohoi se "nëpërmjet këtyre protestave synojmë të sensibilizojmë edhe opinionin publik, që të solidarizohet me mbi 200 grevistë, megjithëse për shkak të krizës ekonomike sot 60% e Shqipërisë është në "greve urie". Ndërkohë mësohet se një grevist është arrestuar, teksa deputeti Jaku akuzoi forcat e rendit për provokim.


Jaku theksoi se arrestimi i të riut grevist është i paligjshëm dhe i bëri apel Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, që të veprojë sipas ligjit, pasi protestat e PS-së ishin paqësore dhe të ligjshme. Deputeti Jaku dhe mbështetës të tjerë të PS janë grumbulluar përpara Komisariatit të Kurbinit duke u solidarizuar me Ylli Çupin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›