E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita po lufton me mullinjtë e erës

Kryeministri Berisha injoron krizën: Betejat me mullinjtë e erës janë beteja që shqiptarët i lexojnë dhe do t'i lexojnë tek "Don Kishoti"


TIRANË - Kryeministri Sali Berisha vazhdon të merret me inaugurime rrugësh, në një kohë kur Shqipëria ka nevojë për zgjidhjen e krizës politike.


Gjatë ceremonisë së inaugurimit të Qendrës së Mbyllur të Emigrantëve të Parregullt, kreu i qeverisë ka përsëritur qëndrimin e tij refuzues ndaj kërkesave të opozitës për hapjen e kutive të votimit dhe për më tepër protestat e protestuesve të majtë i ka cilësuar si rrugë pa krye, ndërsa ka shtuar se asgjë nuk mund ta pengojë integrimin e vendit në Bashkimin Europian. "Rruga e Shqipërisë për në Europë është absolutisht e pandalshme.


Betejat me mullinjtë e erës janë beteja që shqiptarët i lexojnë dhe do t'i lexojnë tek "Don Kishoti" i Servantesit. Asgjë nuk mund të pengojë ecjen drejt atij objektivi madhor që kanë shqiptarët; integrimi në Bashkimin Europian", - tha dje Berisha.


Lideri i mazhorancës ka injoruar gjithashtu edhe apelin e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës apo përmbushjen e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave.


Berisha e ka cilësuar të stisur dhe si të paqenë deklaratën e pak ditëve më parë të kreut të delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, sipas të cilit, Shqipëria është larg liberalizimit të vizave dhe se rruga e saj drejt Bashkimit Europian është mjaft e vështirë.


"Unë, siç e dini, në traditën time nuk komentoj as deklarata të stisura dhe as deklarata reale të askujt. Mua do të më kërkoni të komentoj deklaratat e mia dhe t'jua zbërthej.


Nuk kam dëgjuar një deklaratë të tillë, asnjëherë, nga asnjë personalitet i Bashkimit Europian, i Komisionit Europian dhe i vendeve anëtare", - u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›