E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi-Ramës: Hiq dorë! Është mision i pamundur

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, tha se greva e urisë nuk ka lidhje me transparencën

TIRANË - Mazhoranca ka injoruar gjashtë kërkesat e opozitës për zgjidhjen e krizës politike, duke e cilësuar aksionin e saj politik për transparencën e zgjedhjeve si një mision të pamundur. Ky qëndrim erdhi dje nga kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, përmes një deklarate për shtyp.


Ai theksoi se aksioni i fundit politik i opozitës përmes grevës së urisë nuk ka asnjë lidhje me transparencën e zgjedhjeve, një kauzë që, sipas Patozit, nuk ekziston dhe për më tepër është e pamundur që të zgjidhë krizën politike.


"Duhet ta kemi të qartë të gjithë, që gjithë kjo vorbull e krijuar këto muaj, nuk ka lidhje, po ashtu dhe greva e urisë, që po zhvillohet në bulevard nuk ka lidhje me transparencën , por është pjesë e axhendës politike personale e zotit Rama, i cili humbjen e tij po e përjeton, sikur Shqipëria të kishte dalë nga një luftë civile në 28 qershor, dhe jo nga një proces normal e transparent.


Zoti Rama sot po kërkon që me mjete radikale të arrijë atë që nuk arriti dot me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë jam i detyruar që t'i drejtohem atij, se ky është një mision i pamundur", - tha dje Patozi.


Ai vuri në dukje gatishmërinë e shumicës në pushtet për të rivendosur dialogun politik me opozitën, por pa dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesës për hapjen e kutive të votimit. Në këtë mënyrë, sipas kreut të grupit demokrat, opozita ka mundësinë për të kryer përmirësimet në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme.


"Mazhoranca jonë është e gatshme ta zbatojë menjëherë propozimin e nisjes në parlament të dialogut me opozitën, që të realizojë bashkërisht me të reformat, për të cilat ka nevojë jetike vendi. Ne jemi plotësisht dakord që të ecim përpara me reformën që do t'i paraprinte zgjedhjeve të ardhshme në vend dhe transparencës së plotë të tyre.


Dhe në këtë kontekst, dëshiroj të informoj se kjo mazhorancë i ka ofruar zotit Rama bashkëkryesimin dhe vendimmarrjen konsensuale të komisionit parlamentar, që do të ngrihet për reformën zgjedhore", - u shpreh ai.


Nënkryetari i PD-së shtoi se nëse opozita kërkon përmirësime në Kodin Elektoral t'i dërgojë amendamentet e saj në të gjitha institucionet e njohura europiane dhe mazhoranca, sipas tij, do t'i votojë pa asnjë ndryshim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›