E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk tërhiqemi nga kërkesa për transparencë

Rama - policisë: "Bëj apel që të gjithë ata qytetarë që kanë manifestuar të mos ngacmohet asnjë fije e flokut të tyre nga policia. Kjo nuk është një protestë kundër policisë, kundër shtetit"

TIRANË - Opozita është e gatshme të ulet në tryezën e dialogut me mazhorancën për të gjetur zgjidhjen e krizës politike që duket se ka arritur kulmin këto dy javët e fundit me ngujimin në grevë urie të më shumë se 200 qytetarëve dhe deputetëve socialistë.


Ka qenë kreu socialist, Edi Rama, ai që duke folur në mitingun e radhës në bulevardin kryesor të kryeqytetit ka përcjellë edhe një herë në mënyrë të qartë mesazhin për shumicën qeverisë dhe për faktorin ndërkombëtar se opozita që ai udhëheq është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve për të gjetur modalitetet e plotësimit të gjashtë kërkesave të grevistëve.


Por, vullneti për të dialoguar ka theksuar kryesocialisti nuk do të bëjë që PS-ja dhe aleatët e saj të heqin dorë nga protesta deri sa, sipas tij, në vend të vendoset shteti i së drejtës.


Protesta


Ka qenë sërish radha e socialistëve të qarqeve Berat dhe Dibër për të mbushur dje sheshin përballë çadrave të ngujimit dhe për të mbështetur moralisht grevistët që dje kanë mbyllur ditën e 11-të të urisë. Ashtu si edhe ditët e tjera, grevistët kanë përshkruar në këmbë itinerarin nga rrethrrotullimi i "Zogut të Zi" deri në qendër, duke bllokuar për disa minuta dhe qarkullimin e makinave, ndërsa kanë hedhur parulla kundër qeverisë.


Më pas, ata janë bashkuar në bulevard edhe me protestuesit e tjerë të ardhur nga Tirana kanë nisur të solidarizohen me grevistët dhe me thirrjet: "Jemi me ju" janë përpjekur që të rrisin sado pak moralin e tyre.


Takimin e ka hapur deputeti i Skraparit, Fidel Ylli, dhe më pas të gjithë drejtuesit e tjerë të opozitës, të cilët kanë vlerësuar në fjalët e tyre se protesta është e drejtë, për sa kohë bëhet për një kauzë kaq të rëndësishme për demokracinë siç është vota.


Ndërsa deputeti i Beratit, Erion Braçe, duke folur në këtë miting, ka bërë një përmbledhje të treguesve ekonomikë që, sipas tij, me tendencën e tyre në rënie po ndikojnë çdo ditë e më shumë në xhepat e shqiptarëve.


"Qeveria e Sali Berishës po falimenton. Ky është falimenti i dytë në vetëm 14 vjet. Ne nuk duhet ta lejojmë atë njeri të falimentojë ekonominë e vendit për interesat e tij dhe të familjes. Kemi ardhur nga Berati për të mos u ndalur më", - tha Braçe.


Rama


Mitingun e 12-të radhazi e ka mbyllur si përherë kreu socialist, Edi Rama, i cili edhe një herë ka sjellë në vëmendje të qytetarëve që gjendeshin në shesh, por edhe gjithë opinionin publik se protesta e opozitës bëhet për të bërë transparencën e zgjedhjeve në mënyrë që të nxirren mësimet e duhura për zgjedhjet e ardhshme dhe se qëllimi i saj nuk është që të merret pushteti në tavolinë.


Duke marrë shkas nga zhvillimet që ndodhën dje në mesditë në një sërë aksesh kryesore rrugore, ku protestuesit u përballën edhe me forcën e policisë, kryesocialisti ka theksuar se në disa raste u shënuan edhe incidente dhe kjo për shkak të provokimeve të uniformave blu. Ndaj, ai i ka bërë apel drejtuesve të policisë që të mos provokojnë protestuesit dhe të mos prekin asnjë prej tyre që ka marrë pjesë në këto tubime.


"Bëj apel që të gjithë ata qytetarë që kanë manifestuar të mos ngacmohet asnjë fije e flokut të tyre nga policia. Kjo nuk është një protestë kundër policisë, kundër shtetit. Kjo është një protestë kundër pushtetit që ka marrë peng liritë dhe të drejtat", - tha Rama. Ndërsa, duke folur për zgjidhjen e krizës, ai ka theksuar se çelësi mbetet plotësimi i gjashtë kërkesave të grevistëve dhe që, sipas tij, opozita i mbështet fort.


Për këtë qëllim, ai është shprehur i gatshëm të dialogojë me mazhorancën për të gjetur një zgjidhje në funksion të plotësimit të këtyre kërkesave. "Në këtë rrugë të protestës ne kemi qenë dhe mbetemi tërësisht të bindur se dialogu është i domosdoshëm dhe asnjëherë nuk i jemi larguar.


Nuk e kemi refuzuar. Por është sot dita të themi se nuk mjafton të thuash se jemi gati për dialog, dhe këtë e kam për zotërinjtë e palës tjetër për çfarë dialogu e kanë fjalën.


Grevistët e kanë bërë platformën e kërkesave. Ne e mbështesim plotësisht atë dhe kërkojmë që ato kërkesa të konsiderohen dhe të diskutohen një për një, në funksion të një zhvillimi të ri demokratik për vendin, të një hopi të ri për vendin, për median, drejtësinë", - tha Rama.


Më tej, ai ka siguruar se deri në plotësimin e këtyre kërkesave opozita nuk do të tërhiqet nga protestat e saj. "Ne jemi këtu të gatshëm për dialog, por të palëkundur për të vazhduar protestën tonë.


Jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjetur zgjidhje dhe për t'i hapur rrugë garantimit të lirive dhe të drejtave për të cilat do të vazhdojmë të protestojmë. Nuk ka gabim më të madh, iluzion më të gabuar se sa iluzioni se sa ne do të lodhemi e do të tërhiqemi. As nuk do të lodhemi, as do tërhiqemi. Jemi këtu të vendosur e të palëkundur në kërkesën tonë transparencë, transparencë, transparencë", - tha në fund të fjalës së tij Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›