E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ideali që çon tek filmi autor

Regjisori Pippo Mezzapesa tregon për përvojën 10-vjeçare me filmin e shkurtër.


Fituesi i një trofeu "David", pohon se duhet krijuar kinemaja e re italiane, me regjisorë 20-30-vjeçarë. Kinemaja e mirë? Ajo që nuk ka turp të tregojë edhe shëmtinë e vendit ku jetojmë


Dy regjisorë të rinj italianë, Pippo Mezzapesa e Gianni De Blasi dhe Luigi De Luca, zv/presidenti i APulja Film Commission u takuan dje me studentë të Akademisë së Arteve në Tiranë.


Ai që mendohej të ishte një takim-trajnim për kinemanë rezultoi një takim formal, që u shty mbi 30 minuta nga orari i caktuar, me pak studentë, që nuk i drejtuan asnjë pyetje të pranishmëve. Regjisorët prezantuan shkurt filmat e tyre dhe si ishin siguruar fondet për realizimin për to.


Luigi De Luca foli për mënyrën sesi funksionon APulja Film Commission (qendra që administron fondet për kinemanë puljeze) dhe politikën që ndjek në financimin e filmave të talenteve të reja dhe projekteve të mëdha.


U shfaqën tri filma të shkurtër, dy të Pippo Mezzapesa-s "Zinanà" (2003), fituesi i çmimit David Di Donatello (2004), dhe "Come a Cassano" (2005). Nga De Blasi u prezantua "L'Alternativa" (2009), një spot publicitar dhe një videoklip.


Mezzapesa dhe De Blasi sollën dy përvoja të ndryshme të hyrjes në botën e kinemasë. De Blasi kishte ndjekur studimet në Universitetin "Dams" të Bolonjës, kishte realizuar filma të shkurtër dhe vitet e fundit kishte vendosur të ndiqte një rrugë tjetër, ose "tjetër gjuhë" brenda kinemasë siç e quante ai gjuhën e realizimit të videoklipeve.


Kurse, Mezzapesa ishte krejt e kundërta. Pas Liceut, nuk kishte ndjekur shkollë arti. Ishte diplomuar për drejtësi në Universitetin e Barit. Më 2001, me fonde private realizoi filmin e parë të shkurtër "Lido Azurro".


Për dy vjet rresht shkroi skenarë për të tjerët dhe kur "u lodh" realizoi filmin e dytë me metrazh të shkurtër, të quajtur "Zinanà", i cili më 2004 fitoi një çmimi kombëtar të rëndësishëm si "David di Donatello", duke e shtyrë regjisorin e ri të mos e shihte kinemanë thjesht si hobi. Më 2005, realizon "Come a Cassano" dhe në moshën 29-vjeçare i jepet mundësia për një film të gjatë.


Mezzapesa vlerëson faktin që vitet e fundit në Pulja, funksionon qendra APulja Film Commession, e cila mbështet me buxhete talentet e reja.


"Ndihma e kësaj qendre është e dyfishtë. Nga njëra anë për të tërhequr në rajonin tonë produksione të mëdha kinematografike, vendase dhe ndërkombëtare, dhe nga ana tjetër për të mbështetur talentet e reja në fillimet e tyre", shpjegon zv/presidenti i qendrës Luigi De Luca, i cili gjatë takimit me studentët, me humor pohoi se qendra është edhe një mënyrë për t'i pasur afër regjisorët e njohur me origjinë puljeze Procaccin dhe Rubinin, të cilët "shkuan në Romë për të gjetur fatin". Rreth shqetësimeve të të rinjve për tregun e kinemasë flet Mezzapesa në intervistën e mëposhtme.


Me çfarë sfidash përballet filmi i shkurtër në vendin tënd?


Problematika me të cilën përballet filmi i shkurtër është e njëjtë me atë të filmit të gjatë. Fillimisht duhet të gjendet një buxhet.


Provat e mia të para në kinema kanë qenë krejt të pavarura. M'u desh të gjeja një buxhet minimal për të treguar historinë time.


Shumë vështirësi që hasin regjisorët e rinj, kanë filluar të zgjidhen nga financimet vendase. Për shembull në Pulja, falë institucionit të Film Commission, edhe autorët e rinj kanë mundësi të përfitojnë financimin e duhur për të realizuar historitë e tyre të vogla, dhe që ndoshta do ta kishin të vështirë të lindnin në një treg të nivelit kombëtar.


Nuk bëhet fjalë për të dalë jashtë Puljas, Barit, Italisë?


Nuk është aq e vështirë, por unë po flas për fillimet e mia. Është e rëndësishme që po më jepet mundësia të punoj me shtëpitë filmike si "Fandango", por për të rinjtë, është e rëndësishme që t'u jepet pak besim, t'u jepen fonde të vogla, për t'i lejuar të rrëfejnë diçka dhe për t'u përballur me tregun, me festivalet.


Për atë që nuk ka eksperiencë, është shumë e vështirë të përfitojë fonde kombëtare apo ndërkombëtare. Me këto fondet e vogla rajonale, realizimi i filmit bëhet me i thjeshtë. Kështu afrohen edhe autorët e rinj.


Është edhe një mundësi për të krijuar kinema të re, për të patur një brez të rinj kineastësh, 20-30 vjeçarë, për të mos pasur gjithmonë të njëjtat projekte, të njëjtët autorë "të vjetër" që përfitojnë fondet. Ky është realiteti Puljez. Realiteti italian në përgjithësi është pak ndryshe.


Edhe ne jemi një vend me probleme ekonomike. Fondi i Kulturor ndahet mes kinemasë, spektaklit, arteve të tjera. Kështu që ato pak fonde që ngelen, shkojnë tek autorët me famë, tek ata që garantojnë rikthimin e parave në sallat e kinemasë. Nuk bëhet fjalë për ringjallje dhe sfida.


Në Itali, kinemaja mund të bëhet ose falë Ministrisë, ose falë RAI-t që është përherë statik, ose falë Meduza-s, që është e atij që qeveris në Itali.

Kush janë ata që i marrin gjithmonë fondet?


Autorët më të zotë të kinemasë italiane. Klasikët. Sipas meje, regjisorët më të mëdhenj në Itali për momentin janë autori i "Gomorra", regjisori Matteo Garrone dhe regjisori i "Il Divo" Paolo Sorrentino.


Ndoshta janë dy regjisorët italianë që kanë pasur me të vërtetë sukses edhe jashtë. Kanë fituar çmime në Kanë. Për mua filmat e tyre janë kinemaja e vërtetë dhe e bukur italiane. Ajo që rrëfen problemet e vendit. Nuk ka turp të tregojë edhe pamjen e shëmtuar të vendit tonë.


Fole për pasigurinë në fillim të karrierës. Ç'ndodhi pasi fitove një çmim kombëtar "David"?


Kam punuar shumë. Kam realizuar një dokumentar me metrazh të gjatë që nuk kërkonte ndonjë buxhet të madh. Falë këtij dokumentari, filmave të shkurtër që kam realizuar, çmimit "David di Donatello" me "Zinana" 2004, po punoj tani për filmin tim të parë të gjatë. Përmes këtyre sukseseve të vogla m'u dha mundësia për të punuar me një shtëpi filmike si "Fandango" e Domenico Procaccit.


Që nga momenti që realizova "Zinaná", kinemaja nuk ishte më hobi, por punë. Çmimi më prestigjioz italian më dha mundësinë të krijoj raporte me shtëpi filmike.


Ëndrra ishte në qendër të dy filmave që pamë sot. Nga çfarë motivesh po lind filmi i gjatë që po realizon?


Është një projekt që po e punoj prej dy vitesh. Fle duke menduar për të, nuk rresht kurrë së menduari për të.


Aty tregoj realitetin e një grupi të rinjsh, ëndrrat, projektet e tyre. Nuk është aq lokale si histori dhe aty do të fus të gjitha temat që më interesojnë. Filmi fillon qetë dhe përfundon në një dramë. Ka një regjistër të dyfishtë. Nuk mund të them më shumë se kaq.


Si mund ta fitosh një producent të rëndësishëm?


Paratë që kthehen mbrapsht, financat që siguron një film pas realizimit janë të domosdoshme. Është me rëndësi që historia të mund të tërheqë sa më shumë njerëz. Në Itali, historitë e adoleshentëve tërheqin të rinjtë në kinema. Ose temat sociale, histori të vështira për t'u realizuar, por që mund të jenë më tërheqëse për festivalet.


Në këtë mënyrë përdoren vitrinat e festivaleve, për të siguruar një distribuim edhe jashtë vendit. Varet nga producentët. Ka producentë që privilegjojnë komeditë. Ka producentë që mendojë më shumë për veprimin sesa për skenarin që i vjen në dorë.


Pra, bëhet fjalë për një prodhim komercial ku trajtohet tema të lehta dhe me aktorë të famshëm që u interesojnë më shumë publikut të ri. Kështu krijohet një paketë e plotë komerciale. Nga ana tjetër ka producentë që u intereson më shumë skenari, historia, forca e saj.


Producentët më të zotë e shohin projektin në shkallë ndërkombëtare, që të jetë një subjekt universal, që trajton një realitet unik, por që prek edhe të tjerë. Këta producentë respektojnë autorësinë, respektojnë më shumë regjisorin, historinë.


Dhe janë gjithmonë të paktë?


Janë gjithmonë të paktë. Por janë pak kudo, jo vetëm në Itali. Është gjithmonë më e vështirë për të bërë një film autor, sesa një komedi.


Sergio Rubini vjen me "Njeriu i zi"


Në kuadër të aktiviteteve, "Përtej detit, Shqipëri-Pulja, dy popuj, një miqësi",
sot, ora 11.30 në Akademinë e Arteve shfaqet filmi "Njeriu i zi" (L'uomo nero) i regjisorit Sergio Rubini, realizim i vitit 2009. Vetë Rubini luan në rolin e Ernesto Rossettit, krahas aktorëve: Gianpiero Alicchio, Margherita Buy, Mariolina de Fano, Anna Falchi etj.


Regjisori është kthyer në vendin e lindjes, Pulja, me historinë e një njeriu i cili gjithashtu kthehet në vendlindje sepse i vdes i ati. Kujtimet e tërheqin pas në vitin 1967, kur ishte fëmijë. I ati, një shef stacioni në hekurudhë që dashuronte pikturën.

Sergio Rubini (51 vjeç) është lindur në Pulja. Më vonë udhëtoi drejt Romës ku ndoqi studimet për aktrim. Pas disa roleve në teatër, ai debutoi në filmin "Figlio mio infinitamente caro" (1985) të Valentino Orsinit, dhe më pas tek "Desiderando Giulia" të Andrea Barzinit, "Il Caso Moro" të Giuseppe Ferraras.
Në vitin 1987 ai interpretoi në filmin "Intervista" të Federico Fellini-t.


Më 1990 debutoi si regjisor me "La stazione", shkruar nga miku i tij Umberto Marino. Me këtë film fitoi çmimin "Nastro d'Argento" që jepet nga shoqata e kritikës italiane të filmit dhe çmimin kombëtar "David Di Donatello".


Në vitin 1993 realizon "La Bionda". Dy vjet më vonë, interpreton në "Al Lupo al lupo" të Carlo Verdones. Në të njëjtin vit, bashkë me Giuseppe Tornatoren, shkruan "Una Pura formalitá".


Më 1997 interpreton tek "Nirvana" e Gabriele Salvatores. Po atë vit realizon një nga filmat e tij më të mirë, "Il Viaggio Della Sposa", me protagoniste Giovanna Mezzogiornon. Filmi më i mirë i fundit i tij është "La terra" (2006), që flet për historinë e një familje feudale në Italinë e Jugut.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›