E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri aksidente në rrugë, 2 persona të vdekur e shtatë të plagosur



TIRANË - Tri aksidente kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe si pasojë e tyre, dy persona kanë vdekur dhe shtatë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Dy aksidentet e para kanë ndodhur në Berat, me pasojë një të vdekur dhe 7 të plagosur. Ngjarjet ndodhën në orët e para të ditës së djeshme. Në rrugën Berat-Lushnjë një makinë tip “Benz” është përplasur me taksi një orë pas mesnatës. Për pasojë, një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i plagosur. Policia thotë se aksidenti ndodhi rreth orës 01:00, pranë fshatit Poshnje. Nga përplasja ka mbetur i vdekur drejtuesi i taksisë, Bektash Sula, ndërsa ka mbetur i plagosur i biri, Rexhepi. Po në qarkun e Beratit, një furgon me pasagjerë ka dalë nga rruga rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm. Për pasojë kanë mbetur të plagosur 6 persona. Policia lokale tha se furgoni me pasagjerë po shkonte në llixha. Aksidenti i tretë ka ndodhur në Vlorë dhe i vdekur ka mbetur një person. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, në zonën e Ujit të Ftohtë, ku një automjet tip fuoristradë me targa ZA 41 8 BV, doli nga rruga dhe ra nga një lartësia e madhe në drejtim të buzës së detit. Policia njoftoi se si pasojë ka humbur jetën Juri Ramohasanaj, 40 vjeç, drejtues i mjetit. Mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit të rëndë që i mori jetën një personi. Mësohet se aksidenti mund të kishte rezultuar edhe më tragjik, pasi automjeti ra mbi shezlonet e një plazhi privat në zonën e quajtur Kalaja në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Fatmirësisht plazhi ka rezultuar bosh pasi pushuesit janë larguar këto ditë fund-gushti. Paraprakisht dyshohet se fuoristrada ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi në rrugën pranë plazheve të kësaj zone, kur ka humbur kontrollin e mjetit duke goditur fillimisht mbajtësen anës rrugës e më pas duke përfunduar në plazhin privat.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›