Ilir Kumbaro do të rrijë në qeli, refuzohet garancia
TIRANË - Ilir Kumbaro, një ndër të akuzuarit kryesorë të çështjes për zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, do të rrijë në qeli në Londër për të paktën dhe 48 orë të tjera. Vendimi është dhënë ditën e djeshme nga Gjykata e Ekstradimeve në Londër. Kjo gjykatë ka pezulluar vendimin për lirim me kusht për Ilir Kumbaron, i kërkuar nga Drejtësia shqiptare për rrëmbimin e biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha. Sipas informacioneve të fundit, trupi gjykues ka pranuar garancinë pasurore për lirimin me kusht të Kumbaros, por ka hasur në kundërshtimin e përfaqësueses së shtetit shqiptar, Mary Uestcott. Për pasojë, Kumbaro do të qëndrojë në qeli edhe për të paktën 48 orët e ardhshme. Sërish Kumbaro ka këmbëngulur se është shtetasi me emrin Shaqa Shatri, pretendim të cilin e ka shfaqur disa herë kur është përballur me drejtësinë. Sipas informacioneve të fundit, gjykatësi Anthony Evans u njoh me pretendimet e përfaqësueses shqiptare mbi Ilir Kumbaron. Në seancën ku Kumbaro refuzoi të ketë përkthyes u lexuan 6 akuzat e Prokurorisë shqiptare. Ilir Kumbaro u arrestua nga Scotland Yard katër ditë më parë në shtëpinë e djalit të tij.
Arrestimi i dytë
Arrestohet në Angli ish-kreu i SHIK-ut, i akuzuar për rrëmbimin, keqtrajtimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, si dhe keqtrajtimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Ndërkaq, burime të Policisë Shqiptare konfirmuan ekzekutimin e urdhrit të arrestit të Interpolit për llogari të shtetit shqiptar. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se Kumbaro është arrestuar pas 1 javë vëzhgimi nga policia londineze “Scotland Yard" për llogari të Drejtësisë shqiptare, pas një urdhër-arresti të dytë ndërkombëtar, si dhe masës së sigurisë arrest me burg dhënë nga Gjykata e Lartë. Më parë, policia londineze e kishte arrestuar Kumbaron po për llogari të shtetit shqiptar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj tij, të nxjerrë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për disa akuza ndaj tij.
Urdhri i parë
Urdhri i parë i arrestit nuk u ekzekutua nga Gjykata angleze për shkak se vendimi i mëparshëm i arrestit i dhënë në Shqipëri u rrëzua në Gjykatën e Lartë sepse nuk ishte rifreskuar. Kjo bëri që autoritetet angleze ta linin të lirë Kumbaron, i arrestuar në Londër me emrin Shaqa Shatri, i cili i përkiste një shtetasi kosovar nga Prizreni. Pala britanike tashmë është duke pritur kërkesën e dytë të palës shqiptare për ekstradimin e ish-kreut të SHIK-ut brenda muajit gusht. Ilir Kumbaro akuzohet për një sërë akuzash që kanë të bëjnë me rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, torturimin e Zizo Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, përfshi shpërdorim detyre, ndërkohë që në dosjen e Remzi Hoxhës janë përfshirë dhe emrat e agjentëve Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi.
1 Shtator 2010