E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Anglia i dënuari 15 vite më parë për vrasje



TIRANË - I kërkuar prej 15 vitesh nga Drejtësia shqiptare pasi ishte i dënuar me 17 vite burg, një 38-vjeçar është ekstraduar gjatë ditës së djeshme nga Anglia. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tiranës, rreth orës 15:50 të ditës së djeshme, është bërë ekstradimi nga Londra, Britani e Madhe, drejt Shqipërisë i shqiptarit Hamit Musa, 38 vjeç, lindur në Fier. Sjellja e tij është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin numër 18, datë 8 shkurt 1995, e ka dënuar me 17 vjet burg Musën, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”. Hamit Musa akuzohet se në datën 5 korrik 1993 ka vrarë me thikë Flatun Kapaj. Policia tha se ngjarja ka ndodhur pas një grindje fillimisht të vëllait të Hamit Musës me tre persona të tjerë. Më pas në këtë grindje është përfshirë dhe i ekstraduari Hamit Musa, i cili ka goditur me thikë Flatun Kapajn, duke i shkaktuar vdekjen atij. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Londrën, më datën 6 qershor 2009, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Hamit Musës. Sapo ka zbritur në Rinas ai i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›