E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen mushkat me 300 kg drogë, ikin transportuesit

SARANDE/ Policia ndalon trafikun e kanabisit pranë kufirit.

Një sasi prej 300 kg lëndë narkotike kanabis sativa është bllokuar nga Policia e Sarandës, pak kilometra larg kufirit shqiptaro-grek. Ngjarja është shënuar rreth orës 19:00 të së premtes, në vendin e quajtur Qafa e Soronesë, në aksin Butrint-Xarrë. Shërbimet e Policisë që veprojnë prej kohësh në këtë zonë, në kuadër të luftës kundër trafikimit ndërkombëtar të narkotikeve, kanë pikasur disa persona që po transportonin me kafshë çanta të mëdha. Agjentët e Policisë janë afruar në drejtim të tyre dhe sapo kanë thirrur: Ndal, policia!, tre shtetas janë larguar me vrap, ndërkohë që në vendngjarje kanë lënë kafshët dhe çantat. Sipas Policisë, tre transportuesit, ende të paidentifikuar, janë larguar për në drejtim të zonës së liqenit të Butrintit e ndoshta fshatit Xarrë. Secila prej mushkave të kapura ishte e ngarkuar me nga dy çanta sportive të zeza. Sipas Policisë, çantat ishin të mbushura me pako të ngjitura me natriban, brenda të cilave u gjet lëndë narkotike kanabis sativa. Nga këqyrja paraprake, dyshohet se sasia është rreth 300 kilogramë. Në vendngjarje janë nisur forca të shumta policore, të kryesuara nga shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, kryekomisar Altin Mërizaj. Në linjë telefonike, ky i fundit është shprehur për gazetën Panorama se forca të shumta policore janë duke krehur një sipërfaqe shumë të gjerë, duke filluar nga liqeni i Butrintit e deri në pikat kufitare me Greqinë, si Konispoli apo Çifliku, me qëllim kapjen e autorëve. Paraprakisht mendohet se sasia e drogës ka ardhur nga Lazarati e më pas, përmes urës së Kranesë, është futur në territorin kufitar të rrethit të Sarandës, duke dalë në Qafën e Soronesë. Policia dyshon se rrugëtimi më pas do të vazhdonte për në Xarrë e më pas drejt kufirit shqiptaro-grek, për të përfunduar në Igumenicë. Ekspertët e Policisë pritet të bëjnë ekspertizën daktiloskopike të pakove me drogë për të përcaktuar autorësinë.
Trafiku i drogës në rrethin e Sarandës ka arritur shifra të larta tri vitet e fundit, e sidomos në tremujorin e parë të vitit 2012. Pa u mbyllur muaji mars, Policia e Sarandës ka kapur rreth 640 kg kanabis sativa, ndërkohë që Policia e Igumenicës dhe e Patrës, ka kapur rreth 2.3 tonë e një sasi armësh, që dyshohet se kanë kaluar nga rrethi i Sarandës.

SARANDE/ SHPRESA DINE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›