Gjykata: Babai përdhunues, në burg deri sa të caktohet ekstradimi

Gjykata e Durresit
DURRES – Me anë të një seance formale, Gjykata e Durrësit i ka komunikuar arrestimin 48-vjeçarit Haxhi K., njeriut që për më shumë se pesë vite iu shmang Drejtësisë italiane. Ai akuzohet se disa vite më parë kur jetonte e punonte së bashku me familjen e tij në shtetin italian, ka përdhunuar në mënyrë sistematike për më shumë se tri vite vajzën e tij 14-vjeçare. Tashmë, Gjykata e Durrësit është në pritje të kërkesës së palës italiane për ekstradimin e 48-vjeçarit drejt vendit në të cilin ka kryer aktin e turpshëm. Sipas Policisë, shtetasi Haxhi K., i vitlindjes 1964, banues në Katund Sukth Durrës, është shpallur në kërkim nga Interpol Roma më datë 25.10.2011, pasi Gjykata e Riminit, në Itali, më datë 14.05.2011 ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin për veprën penale të ushtrimit të dhunës seksuale ndaj një minoreneje. Për shkak se atij nuk i është caktuar dënimi në shtetin italian, ai nuk mund të gjykohet në shtet tjetër, përveç Italisë. Pala italiane është vënë në dijeni për arrestimin e Haxhi K., ndërsa pritet që brenda 40 ditëve ata të bëjnë kërkesë pranë Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e 48-vjeçarit. Babai përdhunues i është shmangur Drejtësisë italiane për më shumë se pesë vite, duke u strehuar dhe fshehur në vendlindjen e tij në Sukth, vend në të cilin edhe u arrestua nga policia e qytetit bregdetar 6 ditë më parë, për llogari të Italisë. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në Itali, ku shtetasi në fjalë përgjatë periudhës 1 korrik 2006 deri më 30 gusht 2009, ka kryer disa herë akte seksuale ndaj vajzës së tij të mitur 14-vjeçare. l.m