E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen në Antalia 150 turistë shqiptarë

Rreth 150 shqiptarë që kishin kaluar pushimet në Antalia të Turqisë kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e kësaj zone turistike gjatë gjithë ditës së djeshme. Sipas njërit prej pasagjerëve, që kontaktoi në telefon me një gazetar të "Top Medias", avioni që duhet t‘i transportonte nga Antalia për në Tiranë nuk është paraqitur në aeroport dhe për pasagjerët nuk është dhënë asnjë shpjegim. Sipas pasagjerit në fjalë, nisja e avionit ka qenë e planifikuar për të enjten në mëngjes, por deri në orën 20:00, avioni i caktuar për ta as që ishte nisur nga Tirana për t‘i marrë. Të gjithë pasagjerët janë turistë që kanë shkuar në Antalia nëpërmjet agjencive turistike shqiptare dhe dje kanë lënë dhomat e hoteleve, të cilat i kishin pasur në dispozicion deri dje në mëngjes dhe nuk mund t‘i merrnin prapë. Pasagjerët janë munduar të komunikojnë me autoritetet shqiptare për të sqaruar situatën, por pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje, i janë drejtuar medias. Edhe pas orës 20 nuk pati ndonjë sinjal që avioni i tyre ishte nisur nga Tirana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›