E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat: Falimenti i biznesit, proces pozitiv

Ministria e Financave deklaroi dje se mbështet administratën tatimore në përpjekjet për të likuiduar disa dhjetëra kompani që rezultojnë me humbje dhe se beson që procedura e falimentit është një fenomen pozitiv në ekonomi.

"Falimenti është një proces natyral, tejet pozitiv në ciklin e biznesit dhe ai vetëm sa shëndosh trupin e biznesit kombëtar shqiptar", deklaroi Ministria e Financave në një njoftim për shtyp.

Pak ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi një listë me rreth njëqind kompani, mes të cilave qenë edhe kompani të rëndësishme nafte, ndërtimi e telekomunikacioni, duke deklaruar se kishte ndër mend të fillonte procedurat e falimentimit të tyre. Sipas Tatimeve dhe Financave, fillimi i procedurave të falimentimit është kërkesë e ligjit. Disa prej bizneseve e konsideruan absurde deklaratën e tatimeve. Sipas tyre, humbjet financiare të raportuara në bilanc janë pasojë e investimeve dhe kjo gjë është një fenomen normal në ekonomi. Në listën e kompanive të dërguara nga tatimet në gjykatë për t‘u vendosur në procedurë falimenti, janë edhe kompani shumë të rëndësishme të industrisë nxjerrëse të naftës, kompani ndërtimi apo kompani ndërtimi.

"Ministria e Financave ka ndjekur me ndjeshmëri të lartë shqetësimin e përcjellë në media nga disa biznese rreth masave që po ndërmerr Administrata Tatimore e që kanë të bëjnë me depozitimin në gjykatë të kërkesave për fillimin e procedurave të falimentimit të disa subjekteve tregtare", thuhej në deklaratën e djeshme.

"Ministria e Financave sqaron se shpesh paqartësia në interpretimin e këtij veprimi nga mediat dhe disa biznese, ka ardhur edhe nga konotacioni përgjithësisht negativ që asocion fjalën ‘faliment‘", vijon deklarata.

Tre vjet humbje

Kompanitë, të cilat sipas tatimeve duhet të kalojnë në procedurë falimenti, kanë raportuar për tri vite me radhë aktivitet me humbje, duke mos paguar në këtë mënyrë tatim-fitimi. Janë të shumta kompanitë, të cilat fryjnë investimet e raportuara dhe i klasifikojnë të ardhurat si "shpenzime amortizimi", gjë që i mundëson të shmangin pagesën e tatim-fitimit. Ky fenomen është procedurë e zakonshme për shumë kompani investimi në Shqipëri. Në këtë rast, fitimet u transferohen investitorëve si fond amortizimi. Për më tepër, disa kompani kanë marrëdhënie të shumëfishta me kompani mëmë jashtë vendit, dhe në pak raste kompanitë mëmë i kanë zyrat në parajsa fiskale, gjë që e bën të pamundur për tatimet të kapin manipulimet financiare.

Presion mbi tatimet

Kriza aktuale ekonomike ka sjellë shtim të presioneve mbi administratën tatimore, për shkak se fitimet e kompanive janë tkurrur dhe bashkë me to edhe të ardhurat e qeverisë nga tatim-fitimi. Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, të ardhurat e buxhetit të shtetit nga tatim-fitimi qenë rreth 13 milionë euro më pak se plani, gjë që do të thotë se fitimet e biznesit kanë qenë rreth 130 milionë euro më të ulëta këtë vit. Tatim-fitimi është një taksë lehtësisht e shmangshme nga pikëpamja tatimore dhe kompanitë që kanë aktivitet në më shumë se një vend, e kanë shumë të lehtë. Një pjesë e konsiderueshme e investimeve të huaja në Shqipëri kanë për origjinë parajsa fiskale si Qipro apo ishujt Kajman.

Në këto kushte, tatimet duken të vendosura të shtojnë presionin mbi kompanitë e biznesit, duke kërcënuar me fillimin e procedurave të falimentit për të gjitha kompanitë që nuk kanë deklaruar fitime për shumë vite. Zyrtarët e tatimeve ankohen edhe për një numër të konsiderueshëm kompanish që gjatë dekadës së fundit kanë raportuar fitime minimale një herë në tre vjet vetëm sa për t‘u shpëtuar kokëçarjeve.

Në total, procedura e falimentimit dhe likuidimit të një kompanie është tërësisht e panjohur në Shqipëri. Gjatë viteve të fundit, një procedurë e tillë është zbatuar vetëm një herë dhe në atë rast ka qenë një ndërmarrje pjesërisht shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›