E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, 25-vjeçari vdes nga komplikacionet

Regjistrohet vdekja e parë e një shqiptari si pasojë e komplikacioneve nga gripi i derrit AH1N1. Jani Metushi, 25 vjeç, i cili prej vitesh kishte emigruar në shtetin grek, ka humbur jetën si pasojë e gripit të derrit. Lajmi është konfirmuar dje nga spitali "Evangjelizmo" në Athinë. 25-vjeçari është trajtuar në këtë spital që në muajin gusht por komplikacionet e sëmundjes dhe probleme të tjera shëndetësore kanë bërë që pacienti shqiptar të humbasë jetën në moshë shumë të re.

Metushi jetonte prej vitesh në Greqi, dispononte dokumente të rregullta dhe në muajin gusht ndodhej me pushime në ishullin Paros të Greqisë. Sipas mjekëve, 25-vjeçari është infektuar nga gripi i derrit gjatë qëndrimit të tij në ishull dhe shenjat që ka shfaqur kanë qenë treguese për prekje nga format e rënda të gripit të derrit, AH1N1.

Komplikacionet

Emigranti shqiptar është shtruar me urgjencë në qendrën shëndetësore në Athinë, në datën 19 gusht. Pas analizave dhe ekzaminimeve të detajuara, pacienti ka rezultuar të jetë bartës i gripit të derrit dhe infeksioni është marrë në ishullin Paros të Greqisë, ku ai ndodhej me pushime. Mjekët kanë kryer analizat dhe i kanë dhënë pacientit trajtimet dhe kurat e parashikuara fill pas konfirmimit se pacienti është bartës i virusit AH1N1. Pas shtrimit në spital pacienti ka shfaqur shenja të komplikacioneve si vështirësi në frymëmarrje. Më pas mjekët kanë konstatuar se ky virus i ka shkaktuar 25-vjeçarit pneumoni të rëndë në mushkëri. Ditë më vonë në sintezë me historikun e rëndë shëndetësor të tij, pasi ka pasur prej kohësh probleme kardiake madje edhe komplikacione të tjera shëndetësore.

Gjendja e Jani Metushit është rënduar edhe më, pasi prej kohësh vuante nga probleme kardiake, madje kishte vendosur edhe aparat për aritminë në zemër. Prekja nga gripi i derrit i shkaktoi 25- vjeçarit komplikacione, midis tyre në orët e fundit edhe mosfunksionim e shumë organeve me pasojë vdekjen e tij.

Rasti i tij ishte një prej dhjetë rasteve serioze të gripit të derrit në Greqi. Aktualisht në vendin fqinj, raportohet se numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi AH1N1 ka arritur në rreth 2 mijë. Që nga konfirmimi i prekjes së Greqisë nga gripi i derrit, mediat vendase shpesh kanë raportuar për shqiptarë të prekur të cilët janë trajtuar në qendrat shëndetësore të vendit fqinj.

Rasti i Shqipërisë

Deri tani, në vendin tonë, janë konfirmuar 30 raste të prekura nga gripi i derrit, por pavarësisht kësaj, asnjë viktimë me humbje jete. Pacienti i vetëm i cili ishte në rrezik për jetën tashmë ka dalë nga gjendja e komës dhe ka përmirësime të gjendjes shëndetësore. 45-vjeçari u izolua dhe u mbajt në vëzhgim në një nga pavijonet e spitalit universitar të sëmundjeve respiratore "Shefqet Ndroqi". Veç bartjes së virusit të gripit të derrit pacienti shfaqi komplikacione edhe si pasojë e prekjes nga viruse të tjera, si dhe problemeve kronike shëndetësore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›