Topi: Mediat janë avokatët më të mirë të qytetarëve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk ka dashur të bëjë ndonjë koment të drejtpërdrejtë për ligjin e dosjeve të miratuar nga Kuvendi me shumicë votash. Interesit të gazetarëve dje në Pallatin e Brigadave, se çfarë do të bëjë me ligjin, a do ta dekretojë apo jo, kreu i shtetit, i është përgjigjur vetëm me një fjali. "Kam thirrur një grup ekspertësh, të cilët do të shqyrtojnë ligjin sipas Kushtetutës dhe më pas do të vendos për firmën". Një ditë më parë, kreu i shtetit deklaroi para mediave se si President i Republikës, në lidhje me ligjin për dosjet, do të shprehej vetëm nëpërmjet dekretit. Ndërsa si politikan, është shprehur ai, "do të thosha se gjithmonë kam qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse dhe natyrisht që ai që kërkon të bëjë karrierë, ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale". Por gjatë pritjes së djeshme në Pallatin e Brigadave me gazetarët dhe drejtuesit e mediave me rastin e festave të fundvitit, Presidenti nuk ka dashur të ndalet te politika dhe zhvillimet e fundit të saj, por te puna dhe kontributi që kanë dhënë mediat për zhvillimin e vendit. Në fjalën e tij, Presidenti Topi i cilësoi mediat si avokatët më të mirë të qytetarëve. Ai ka garantuar se institucioni i Presidencës do të vazhdojë të mbetet transparent dhe mbështetës i medias së lirë dhe kjo nuk duhet të mbetet thjesht një demagogji. Duke iu drejtuar gazetarëve dhe drejtuesve të mediave të pranishëm në pritje, Presidenti u shpreh se "mediat kanë një mision sa të rëndësishme aq edhe delikat, i cili nuk duhet të influencohet aspak nga interesa të kujtdo qofshin dhe besoj se edhe konkluzionet e Progres-Raportit të BE-së mbi punën e mediave, duhet të lexohen qartë si nga mediat ashtu edhe nga politika e biznesi".