E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekia: Aplikimi për statusin e kandidatit pas zgjedhjeve

Numri dy i ambasadës çeke në Tiranë, Adam Pinos, kërkoi nga faktorët politikë shqiptarë që periudha më e mirë për aplikimin e statusit të kandidatit për në BE është ajo pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Çekia do të ketë presidencën e radhës në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Zv/ambasadori çek theksoi gjithashtu se nëse pala shqiptare vendos që të bëjë aplikimin përpara zgjedhjeve, presidenca çeke do ta mirëpresë këtë vendim, por nuk ka garantuar se sa do të fitojë Shqipëria në këtë proces në momentin që ka përpara zgjedhjet parlamentare. Procesi i integrimit evropian i Shqipërisë duket se po u afrohet sfidave të një stadi më të avancuar në marrëdhëniet me bllokun e 27 vendeve anëtare. Pavarësisht debatit publik dhe reagimeve të herë pas hershme të politikës në lidhje me hapin më të rëndësishëm në marrëdhëniet e deritanishme me BE-në, aktorët politikë vendas ende nuk kanë dalë me një axhendë të qartë në lidhje me aplikimin si proces dhe sfidat e vendit në secilën prej fazave. Shqipëria në fazën pas aplikimit për anëtarësim duhet të sigurojë progres të mëtejshëm në zbatimin e MSA-së, të tregojë rezultate konkrete në fushat problematike si korrupsionin, krimin e organizuar, menaxhimin e kufijve, emigracionin ilegal dhe zhvillimin ekonomik. Nga ana tjetër, debati i ekspertëve dhe organizatat e pavarura studimore janë thelluar në analizën e tyre duke identifikuar për më tepër edhe skenarë të mundshëm dhe rekomandime për procesin e aplikimit për anëtarësim nga momenti i aplikimit e deri te negociatat e anëtarësimit. Dinamika e proceseve politike dhe integrimi evropian në vend të çon në përfundimin se aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE duhet bërë nën presidencën çeke. Sipas ekspertëve që merrnin pjesë në tryezën e rrumbullakët, "Anëtarësimi në BE. Sfidat e procesit të aplikimit", Shqipëria duhet ta kërkojë aplikimin e statusit të kandidatit në muajt e parë të vitit 2009. Në këtë takim merrnin pjesë kryetari i komisionit parlamentar të integrimit evropian, Ilir Meta, zv/ambasadori i Çekisë në Shqipëri, Adam Pinos, Ditmir Bushati nga Lëvizja evropiane, Gjergji Filipi nga instituti "Agenda" dhe ekspertë të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›