Bllokohen në portin e Barit 120 maune me destinacion Durrësin
Fluksi i madh i pasagjerëve dhe automjeteve të vogla në pikun e sezonit turistik duket se ka privuar nga lëvizja normale sektorin e transportit me kamionë në dy anët e kufirit detar Shqipëri-Itali. Burime të sigurta thanë dje në mesditë për “Standard” se “Autoritetet Portuale të Barit prej 5 ditësh po zbatojnë, nuk dihet se pse, një urdhëresë të Prefekturës së Barit, sipas të cilës “kamionët me tonazhe 10 dhe 20 tonë të mos lëvizin dhe imbarkohen drejt porteve shqiptare”. Njëri prej shoferëve, Arian Jaupaj, u shpreh për gazetën: “Kam plot 5 ditë që ndodhem në portin e Barit me kamionin e ngarkuar me mish. Po na prishet malli, kurse policia dhe autoritetet portuale të Barit na kanë ndarë nga një fletushkë në italisht dhe jo shqip, ku thuhet se ne nuk do të lëvizim prej këtu derisa të mbarojnë lëvizjet e pasagjereve dhe veturave”. Sipas z. Jaupaj, “të gjithë shoferët shqiptarë po protestojnë në sheshin e trageteve, por ata nuk lejohen të kalojnë metrin duke u ndalur edhe nga forca të policisë italiane, madje personalisht unë jam konfrontuar me ata sot paradite”. Sipas të gjitha ligjeve portuale ndërkombëtare, çdo minutë dhe ditë vonesë, paguhet, pra për pasojë edhe vonesat e shkaktuara nga pala italiane dhe më konkretisht nga Autoriteti Portual dhe Prefektura e Barit, duhet t’u faturohen atyre. Bëhet fjalë, sipas burimeve nga Bari, për dhjetua tonë mallra ushqimore që mund të prishen nën diellin dhe temperaturat e larta të gushtit, por që askush nuk tenton të marrë përsipër përgjegjësinë ligjore. Nga ana e tyre, agjencitë e transportit në portet kryesore shqiptare kanë nisur përpjekjet e tyre për të kontaktuar me autoritetet portuale dhe policore të Barit, duke deklaruar se “do të ndjekin rrugën ligjore për zhdëmtimin e plotë të pasojave që rëndojnë mbi xhepat e tyre nga veprime të tilla të palogjikshme dhe të paligjshme”. Ata madje kanë nisur dje e-mail drejt Prefekturës, por deri në orët e vona të mbrëmjes problemi ka mbetur ende pa zgjidhje dhe faji pa fajtor. Gjithashtu, shoferët dhe agjencitë e transportit kërkuan dje edhe ndërhyrjen e konsullatave tona në Itali për zgjidhjen e këtij problemi të përsëritshëm dhe të përvitshëm, pasi edhe vjet, sipas tyre, ka qenë e njëjta situatë, dhe dëmet financiare rënduan mbi xhepat e shoferëve dhe subjekteve tregtare shqiptare.