E Shtunë, 31 Tetor 2026

260 raste të reja të kancerit të gjirit në 8 muaj



Mjekët kanë dhënë dje alarmin për numrin e madh të të sëmurëve me kancer të gjirit. Pas ekzaminimeve në spitalet e vendit, janë zbuluar mbi 200 raste të kancerit të gjirit, për një periudhë kohore 8-mujore, çka sipas specialistëve do të thotë një shifër shumë e lartë, e madje, alarmante. Mjekët ia atribuojnë shtimin e diagnostifikimit të femrave me këtë sëmundje, faktit që prej pak kohësh në vendin tonë ka filluar sensibilizimi nga organet shtetërore për analizat, e madje këto të fundit janë falas në të gjithë vendin.

“Për një kohë relativisht të shkurtër, në më pak se një vit, nga ekzaminimet e kryera janë konstatuar rreth 260 raste pozitive me kancer, një numër që konsiderohet i lartë”, - deklaroi drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardhi Spahia, duke vlerësuar se numri i ekzaminimeve falas dëshmon për një sensibilizim të grave për diagnostikimin në kohë, si trajtimi më i suksesshëm i kancerit të gjirit.

Shumica e rasteve të zbuluara me kancer në gji kanë qenë në Tiranë, ku është një prej aparateve të cilat diagnostifikojnë sëmundjen. Sipas specialistëve, përqendrimi i madh i popullsisë në Tiranë është në përputhje me rastet e zbuluara, pa bërë asnjë ndarje gjeografike të të prekurave nga kjo sëmundje.

Por problemi më i madh në vendin tonë është mossensibilizimi i mjaftueshëm i femrave për të kryer këto analiza, që ndonëse janë falas, nuk duket se po tërheqin vëmendjen e femrave shqiptare. Z. Spahia u bërë thirrje grave që të tregohen më bashkëpunuese me mjekët, pasi përmes projektit u jepet mundësia që të ekzaminohen në kohë. Spahia bëri të ditur se tashmë femrat kanë të gjitha mundësitë për t`u diagnostifikuar, pasi jo vetëm janë shtuar aparatet e posaçme që zbulojnë sëmundjen, por mbi të gjitha, për shkak se analizat janë falas.

Rreth 10 mijë ekzaminime falas janë realizuar deri tani në katër aparaturat e mamografisë (që tregojnë diagnozën e kancerit të gjirit), të instaluara vitin e kaluar në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër, në kuadër të programit INTERREG III. Ky projekt është një bashkëpunim mes vendit tonë dhe Italisë dhe ka nisur tre vjet më parë. Projekti financohet nga Komuniteti Evropian, ndërkohë që fondi lëvrohet përmes Agjencisë Rajonale Sanitare të Puljas, në jug të Italisë. Vetëm për mamografinë Bashkimi Evropian i ka dhënë Shqipërisë një shumë prej 7 milionë eurosh, në formën e grantit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›