E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dollapi pushon nga puna dy drejtues të OSSH-së

Vetëm pak kohë në drejtim të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sahit Dollapi po tregon se ka vendosur të drejtojë në mënyrë të rreptë këtë ndërmarrje të re tregtare. Veç përmirësimit të treguesve të OSSH-së, Dollapi është i vendosur të ndëshkojë çdo punonjës që shkel parimet e punës. Ka nisur që dje të zbatojë objektivin e tij: në OSSH do të drejtojnë vetëm punonjësit e aftë dhe korrekt. Kush e shkel këtë parim, do të rrezikojë vendin e punës. Madje jo vetëm kaq, por nëse shkeljet janë të renda, edhe ndjekjet penale nuk do të mungojnë. Drejtori i OSSH-së ka hedhur firmën për shkarkimin e dy drejtuesve të këtij operatori në dy qytete kryesore të vendit. Dy drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Vlorë dhe në Tiranë janë shkarkuar nga detyra për mosrealizim të objektivave të vendosura për muajin korrik. Drejtuesi i degës së shitjes në Zyrën e Shpërndarjes së qarkut të Vlorës dhe kryeinxhinieri i Zyrës së Shpërndarjes në Tiranë, u shkarkuan me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sahit Dollapi. Dollapi ka qenë dje i pranishëm në Vlorë, në analizën e punës për muajin korrik dhe nuk ka kursyer vërejtjet ndaj këtij filiali.

Analiza e OSSH-së do të vijojë dhe në drejtoritë rajonale në qarqet që shtrihen në zonat turistike të vendit, ku priten kritika, pse jo edhe shkarkime të tjera. Ndër objektivat kryesorë të punës së OSSH-së janë rritja e nivelit të arkëtimeve të energjisë së harxhuar, ulja e nivelit të humbjeve në rrjet etj. Për këtë qëllim Dollapi ka kërkuar nga administrata që ai drejton të punohet me ndershmëri dhe përkushtim dhe paralajmëroi se nuk do të falë rastet abuzive dhe shpërnderimin e detyrës nga asnjë drejtues në qarqe.

Nga ana tjetër, OSSH-ja parashikon masa ndëshkuese edhe me ligj për punonjësit e saj.

Ashtu si kundër do të penalizohen të gjithë konsumatorët që kapen duke vjedhur energjinë, sipas një projektligji po përgatit METE, edhe punonjësit e OSSH-së do ta pësojnë nga ligji. Tani dhe punonjësit që punojnë pranë OSSH-së do të penalizohen rëndë. Është propozuar që në këtë ligj të përfshihet edhe ndëshkimi për të gjithë ata punonjës të OSSH-së, të cilët vërtetohet se kanë ndërhyrë në mënyrë antiligjore në rrjetin elektrik, në sistemin e matjes apo në aparaturat që kanë të bëjnë me matjen e energjisë elektrike. Pak ditë më parë Dollapi ka deklaruar se standardet do të jenë të njëjta dhe ata do të kenë të njëjtin fat si abonentët abuzues. Sipas tij, ndaj punonjësve që bëhen bashkëpunëtorë në vjedhjen e energjisë nuk do të ketë vetëm masë administrative me largim nga puna, por masa do të jetë ndjekje penale sipas të gjitha procedurave ligjore.

OSSH

Sipas të dhënave të OSSH-së, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti janë përmirësuar treguesit e arkëtimeve dhe humbjeve. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të muajit qershor, niveli i humbjeve arriti në 29.5 për qind, ndërsa arkëtimet në 85 për qind tek familjarë dhe 98 për qind tek privatët. Në këto 3 muaj, që nga muaji prill deri në fund të qershorit, treguesi i humbjeve ka ardhur vazhdimisht duke u përmirësuar. Nga ana tjetër, vihet re se arritjet në privat, përveç rritjes së peshës specifike ose rritjes së nivelit të faturimit tek abonentët privatë, vërehen edhe rritje të nivelit të arkëtimeve dhe të pagesës tek këta abonentë.

Kompania Turbo-Jet i kërkon

Berishës të ndërtojë avionë në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha u takua ditën e djeshme me presidentin dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë së prodhimit të avionëve Turbo-Jet, ETIRC, Roel Pieper i cili i paraqiti Kryeministrit shqiptar, planin e biznesin për të prodhuar avionë në Shqipëri. Drejtori ekzekutiv i kompanisë së prodhimit të avionëve Turbo-jet ETIRC aviation S.a.r.l, Roel Pieper, tha se avionët që do të prodhohen në Shqipëri janë avionë gjashtëvendësh, të ashtuquajtur avionë taksi, të përhapur për transportin e udhëtarëve dhe mjaft të përdorshëm, veçanërisht në turizëm. Në emër të kompanisë së tij, zoti Pieper i shprehu Kryeministrit vlerësimin për politikat dhe situatën ekonomike të favorshme të Shqipërisë. “Është pikërisht kjo klimë e përshtatshme biznesi dhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë e cila bëri që kompania ETIRC aviation S.a.r.l të konsiderojë Shqipërinë si vend i përshtatshëm për hapjen e një filiali të kësaj kompanie për prodhimin e helikopterëve”, - tha Pieper. Ai nënvizoi gjithashtu se qëllimi i vizitës së tyre në Shqipëri ishte dhe identifikimi i një terreni të përshtatshëm dhe paraqitja e një projekti konkret për aktivitetin e tyre në Shqipëri. Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e kompanisë dhe u shprehu atyre mbështetjen e qeverisë dhe strukturave të saj për të ndihmuar dhe lehtësuar realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria premton shumë, jo vetëm nga pikëpamja e zhvillimit të biznesit, por edhe nga burimet njerëzore. Në këtë drejtim, presidenti i kompanisë ETIRC Aviation S.a.r.l, zoti Pieper, tha se në paketën e planit të investimit të kompanisë është edhe trajnimi i stafit shqiptar për të përballuar me sukses aktivitetin e kompanisë në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›