Bllokohen predha antitanku në banesën e braktisur
Shijak, telefonata anonime ka njoftuar policinë për praninë e predhave të rrezikshme në një shtëpi të braktisur
SHIJAK- Policia e Shijakut ka bllokuar një sasi predhash të kalibrit 40mm granatahedhësi të lehtë, të cilat ishin fshehur në një banesë të braktisur në lagjen Popullore të Shijakut. Gjithçka është zbuluar në mënyrë të rastësishme nga një banor i zonës. Ai ka parë predhat dhe menjëherë ka shpejtuar që të telefonojë në policinë lokale dhe të tregojë për ngjarjen. Vetëm pak minuta më pas, policia e Shijakut ka shkuar në adresën që është dhënë nga telefonuesi anonim. Burimet e policisë pohuan se në të janë gjetur shtatë predha luftarake. Ato ishin të vendosura në arka ushtrie prej druri e të mbushura me tallash. Menjëherë janë njoftuar ekspertët e xhenios, të cilët kanë udhëtuar nga Gërdeci për në Shijak dhe kanë bërë çaktivizimin e predhave të granatahedhësit të lehtë (antitank). Burime nga grupi hetimor shpjeguan se banesa e braktisur i përkiste shtetasit Daut Keci .Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet në lidhje me përcaktimin e pronësisë së predhave luftarake si dhe praninë e tyre në zonë të banuar. Paniku i lindur pas shpërthimit në Gërdec ka bërë që të forcohen masat për eliminimin e municioneve luftarake, të cilat janë një rrezik dhe për poseduesit e tyre. Një pjesë e shtetasve që disponojnë këto mjete kanë filluar që t'i hedhin në rrugë apo ambiente të tjera ,apo dhe të njoftojnë policinë e shtetit.