E Diel, 1 Nëntor 2026

Tropojë, vëllai vret motrën duke lozur me pistoletë

 
Blerta Pecmarku, 15 vjeçe ka mbetur e vdekur nga plumbi i qëlluar prej vëllait 16-vjeçar teksa po luanin me armën
Besart Pecmarku kishte hequr karikatorin por nuk e dinte që arma kishte edhe një plumb në foleTROPOJË- Një lojë "shqiptare" me pistoletë mes vëllait dhe motrës ka shkaktuar një dramë në fshatin Gri të Tropojës. Pistoleta është shkrepur pa dashje dhe ka lënë të vdekur një 15-vjeçare. Autori i vrasjes është vëllai i saj, i cili nuk e dinte që pistoleta kishte një plumb në fole. Ai është tmerruar nga ajo që ka bërë dhe është përpjekur që të ndihmojë me sa ka mundur të motrën por gjithçka ka qenë e kotë. "Loja" e radhës me armët në duart e popullsisë solli dhe viktimën më të fundit të tragjedive shqiptare.
Tragjedi në familjen Pecmarku në fshatin Gri të TropojësLoja me armën i ka marrë jetën vajzës 15-vjeçare të kësaj familjeje, ndërkohë që autori i vrasjes rezulton të jetë vëllai i viktimës. Blerta Pecmarku, 15 vjeçe nga fshati Gri i komunës së Fierzës në rrethin e Tropojës, ka mbetur e vrarë me armë zjarri pistoletë, dje rreth orës 11:00 të paradites. Burime të policisë së komisariatit të Tropojës kanë bërë të ditur se vëllai i viktimës, Besart Pecmarku, vetëm 16 vjeç, ka qenë duke luajtur me armën duke ia drejtuar të motrës 15- vjeçare. Por adoleshenti 16- vjeçar nuk e ka ditur se pistoleta kishte një plumb në fole. Ai i ka hequr karikatorin armës dhe në këtë mënyrë është "siguruar" se nuk mund të bënte asnjë dëm. Por kur ai ka tërhequr këmbëzën e armës në formë loje me të motrën ka ndodhur edhe tragjedia. Plumbi i qëlluar nga një largësi e vogël ka hyrë në trupin e 15-vjeçares duke dëmtuar rëndë organet jetësore. Ai është përpjekur që ta ndihmojë të motrën por ajo nuk i ka mbijetuar plagës së marrë dhe ka vdekur. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat e policisë së komisariatit të Tropojës dhe një grup hetimor i këtij komisariati. Policia ka bllokuar në vendin e ngjarjes armën me të cilën kishte ndodhur vrasja, ndërkohë që ka arrestuar 16-vjeçarin Besart Pecmarku, autor të kësaj vrasjeje. Ndaj 16- vjeçarit ka filluar procesi penal për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje. Edhe këtë herë armët dhe municionet në duart e personave të papërgjegjshëm kanë shkaktuar viktimën e radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›