E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuberkulozi, 700 shqiptarë të prekur

 
Në një vit shfaqen 20 raste të reja, në 100 mijë banorë. OBSH, fond për luftën kundër TB
Statistikat e Shëndetësisë, thonë se jemi në rrezik nga sëmundja e rëndë që prek mushkëritë
Është folur e stërfolur se Shqipëria paraqitet në hartën globale, si një vend i pastër nga sëmundja e rëndë e Tuberkulozit. Kjo tablo qetësuese, e cila nuk përkon aspak me realitetin, është marrë për shumë vite si e mirëqenë duke anashkaluar të vërtetën e hidhur. Sot në Ditën Botërore të Tuberkulozit, statistikat, ndonëse jo alarmante, japin një panoramë të qartë të shkallës së përhapjes së kësaj sëmundjeje në vendin tonë. Këto evidenca, të cilat kërkojnë vëmendje të veçantë, i japin vetë specialistët e Shëndetësisë, të cilët thonë se vendi ynë ndodhet në shkallën e dytë të shteteve të rrezikuara seriozisht nga kjo sëmundje.OBSH, Shqipëria nën kontrollNë periudhën kohore të një viti, rreth 700 njerëz në vendin tonë paraqiten pranë klinikave me simptomat e sëmundjes së tuberkulozit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e kthyer ndryshe, kjo shifër do të thotë se çdo vit në Shqipëri, në një popullatë prej 100 mijë banorësh, shfaqen 20 raste të reja me tuberkuloz. Në krahasim me vendet lindore, vendi ynë paraqitet disi më mirë përsa i përket situatës së tuberkulozit, por gjithsesi nuk është se ndodhet jashtë hartës së rrezikut. Të njëjtin shqetësim raporton edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka shprehur mbështetjen e saj në luftën për kontrollin e tuberkulozit në Shqipëri Sëmundja, trajtimiTuberkulozi është sëmundje infektive e shkaktuar nga një mikrob i quajtur "mykobakterium tuberkulozis", i cili dëmton organizmin e njeriut dhe kryesisht mushkëritë. Rruga kryesore e transmetimit të kësaj sëmundje është kolla dhe teshtima. Mjekët thonë se rreziku i përhapjes së këtij mikrobi vjen kryesisht nga kontakti me njerëzit e infektuar, të cilët përhapin nëpërmjet rrugëve orale mikrobet TB, të njohura ndryshe si bacile. Për të infektuar një person me bacilin e tuberkulozit mjafton vetëm një numër i vogël mikrobesh. Problematika që shfaq kjo sëmundje, është trajtimi i hershëm. Mjekët thonë se nëse një person i prekur nga Tuberkulozi lihet i patrajtuar, atëherë ai mund të infektojë brenda një viti nga 10-15 individë.TB, jemi në rrezikShqipëria do të jetë e rrezikuar nga tuberkulozi, për sa kohë lëvizja e lirë e popullatës do të jetë e pakontrolluar. Në këtë përfundim arrijnë specialistët e shëndetit, të cilët shpjegojnë se me gjithë përmirësimin e gjendjes, në vendin tonë ka shumë faktorë që mund të përkeqësojnë nivelet e përhapjes së sëmundjes. Një shqetësim në këtë aspekt, sipas epidemiologëve, është edhe urbanizimi i shpejtë dhe i pakontrolluar i zonave të veçanta, kohë më parë të pabanuara. Një vëmendje të veçantë situatës së Tuberkulozit në Shqipëri, po i kushton edhe Fondi Global Kundër AIDS-it, Tuberkulozit dhe Malaries. Ky fond ka miratuar për vendin tonë, një projekt me vlerë prej 1.4 milion dollarësh, i cili synon kontrollin e tuberkulozit, kryesisht në zonat problematike verilindore.MSH: "Fëmijët e Gërdecit do vaksinohen" Ministria e Shëndetësisë ka këshilluar të gjithë banorët, shtëpitë e të cilëve ndodhen pranë zonës së shpërthimit në fshatin Gërdec, të mos përdorin ujin e puseve. Megjithëse e cilëson situatën epidemiologjike në zonë si të qetë, dikasteri i Shëndetësisë, nuk garanton banorët për cilësinë e ujit të puseve individualë, duke i cilësuar këta të fundit si jashtë kontrollit. Drejtuesit e Shëndetësisë bëjnë apel që për konsum ditor, banorët e fshatrave të prekur nga shpërthimi të konsumojnë vetëm ujin e ardhur në rubinete, i cili sipas tyre është kimikisht dhe baktereologjikisht i pasur, si edhe i klorinuar. Në kuadër të masave që janë ndërmarrë për dhënien e ndihmës së duhur shëndetësore, me rastin e ngjarjes së Gërdecit, Drejtoria e Shëndetit Publik do të nisë vaksinimin e fëmijëve, familjet e të cilëve janë prekur nga tragjedia. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se, fëmijët e grupmoshës nga 0-14 vjeç, banorë të fshatit Gërdec, Marqinet, si edhe ata që janë vendosur në Durrës, do të vaksinohen sipas kalendarit të përcaktuar nga drejtoritë përkatëse të Shëndetit Publik. Aktualisht, dikasteri i Shëndetësisë bën të ditur se, është përcaktuar kontigjenti i fëmijëve që do të vaksinohen gjatë muajit mars-prill. Përsa i përket kushteve higjieno-sanitare, MSH, bën të ditur se ka përfunduar groposja e 246 kafshëve të ngordhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›