E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen rrugët, trafik i rënduar në kryeqytet

Reshjet e shiut gjatë orëve të para të ditës së djeshme kanë sjellë mjaft probleme në zona të ndryshme të vendit. Si gjithmonë, në kryeqytet rrugët janë bërë menjëherë të vështira jo vetëm për automjetet, por edhe për qytetarët-këmbësorë, duke shkaktuar një kaos të vërtetë. Reshjet e shiut kryesisht kanë shkaktuar më shumë probleme me trafikun e rënduar. Në Tiranë për orë të tëra rrugët kryesore kanë qenë shumë të ngarkuara dhe në disa raste edhe të bllokuara. Shkak për këtë situatë, që përsëritet çdo herë kur ka reshje të dendura shiu, bëhet sidomos rrjeti i amortizuar i kanalizimeve që duhet të përballojnë një fluks jo të zakonshëm shkarkimi. Përjashtim bëjnë vetëm një pjesë e rrugëve të ndërtuara gjatë këtyre viteve të fundit, ku bashkë me investimin për segmentin rrugor akordohen fonde plotësuese për sistemin e kanalizimeve, duke mundësuar riparimin e tij pjesë-pjesë. Nga ana tjetër, nuk kanë qenë të pakta edhe ndërhyrjet e skuadrës së kanalizimeve pranë Ujësjellësit të Tiranës, në zhbllokimin e pusetave, pas njoftimit të qytetarëve.

Sipas sinoptikanëve, vendi ynë do të ndikohet edhe sot nga periferia e presionit të ulët atmosferik. Masat ajrore që qarkullojnë do të jenë të paqëndrueshme, të freskëta dhe lagëta. Moti parashikohet të jetë me vranësira dhe kthjellime, kryesisht në pjesën e parë të ditës. "Era do të fryjë me shpejtësi 2 deri në 8 m/sek në drejtim të Jugperëndimit. Temperaturat më të ulëta dhe më të larta në qytetet kryesore do të variojnë nga 16 deri 24 gradë", bën të ditur shërbimi metereologjik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›