E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon G99: Berisha po abuzon me të drejtat e fëmijëve

"Fëmijët shqiptarë nuk janë kukullat e Berishës, por pasuria më e brishtë dhe më e çmuar e familjeve tona. Në vend që Kryeministri të kujdeset për ta, duke ndërtuar më shumë shkolla, duke rritur mirëqenien e prindërve të tyre, që po i rrisin me aq vështirësi, ai i rreshton ata me forcë në përurime e detyrohen të dëgjojnë fjalime bajate". Ka qenë ky reagimi i lëvizjes G99 përmes zëdhënëses së saj, Olta Xhacka. Sipas G99, sa herë që Kryeministri Berisha viziton ndonjë komunë për përurimet e veta elektorale, fëmijët e shkollave të atij fshati apo komune detyrohen të lënë mësimin, të shkëputen nga dita e zakonshme e dije-nxënies dhe të mbushin radhët e turmave që duhet të shërbejnë si sfonde zbukuruese për Kryeministrin.

Për përfaqësuesit e G99 ky fakt konsiderohet i dhimbshëm dhe dhunon ndarjen e domosdoshme të sanksionuar me ligj midis arsimit dhe politikës. "Është e dhimbshme që prindërit ia besojnë fëmijët e tyre shkollës dhe ky besim thyhet në mënyrë arbitrare nga drejtuesit e këtyre shkollave nën presionin e qeverisë", u shpreh përfaqësuesja e G99, duke theksuar se "ky nuk është vetëm një abuzim i mirëfilltë me pushtetin, por është një abuzim krejtësisht i patolerueshëm mbi të drejtat e fëmijëve". G99 i ka kërkuar Kryeministrit "të ndalojë menjëherë këtë praktikë të shëmtuar dhe abuzive dhe të garantojë mbarëvajtjen e pandërprerë të mësimit në shkollat që viziton në respekt të qytetarëve më të rinj të Republikës së Shqipërisë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›