E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urbanizimi i kryeqytetit, "kundër" periferive informale

Tirana e urbanizuar nuk do të ketë periferi informale, pa infrastrukturë dhe pa cilësi jete. Bashkia e Tiranës, duke prezantuar draftin e Planit të Ri Rregullues të kryeqytetit, ka paraqitur në vija të përgjithshme atë që pritet të jetë metropoli në 2020-ën. "Zonat informale në këtë plan nuk janë parë si pengesë, por si një shteg mundësish për një cilësi jete. Në të gjitha zonat informale vërtet ka rrugë të ngushta, por ka oborre të gjera dhe të gjitha ato oborre të gjera janë potencial për rritjen e përmasës së gjelbër", tha dje kryebashkiaku Edi Rama në dëgjesën e parë publike për këtë çështje. Sipas tij, një nga sfidat kryesore të qytetit është integrimi i të gjitha zonave të ashtuquajtura informale në kryeqytetin e së ardhmes. Kjo duke respektuar logjikën e patjetërsueshme të procesit të legalizimit dhe njëkohësisht duke konsideruar nevojën e domosdoshme të të gjithë atyre familjeve që sot jetojnë në këto zona, për të pasur një infrastrukturë e cila do t‘i plotësojë të gjitha nevojat e tyre dhe të fëmijëve të tyre me të gjitha shërbimet publike dhe me një infrastrukturë sociale, si çerdhe, kopshte, shkolla.

Nga ana tjetër, Rama nuk ka munguar që të shprehë edhe keqardhjen për atë që të ofron sot periferia kryeqytetase. "Është e qartë që Tirana sot do të ishte një kryeqytet me një perspektivë shumë më të shkëlqyer, në rast se nuk do të kishin ndodhur zhvillimet barbare në Kashar, në rrëzën e Dajtit, në kodrat e Selitës, zhvillime të cilat kanë marrë parasysh vetëm interesat private dhe nuk kanë marrë absolutisht parasysh interesin publik për një kryeqytet që zhvillohet në mënyrë të balancuar", u shpreh ai.

Plani i ri rregullues për drejtuesit e bashkisë synon që "të akomodojë një rritje të popullsisë prej 400000 banorësh për dekadën e ardhshme. Ai tenton të promovojë zhvillimin ekonomik që të sigurojë 200000 vende të reja pune, por edhe të shtojë sipërfaqet e gjelbra me 175 hektarë gjelbërim.

Ndërsa duke ju referuar konceptit të dy niveleve të vendimmarrjes për Planin Rregullues, Rama premtoi se "ky proces konsultimesh, sikundër dhe ai i hartimit, do të përfshijë edhe komunat". Ai sqaroi se kjo është një vendimmarrje në dy nivele, një për Tiranën administrative sot, por edhe një tjetër për të gjithë rajonin. "Dhe pavarësisht se kush e administron, plani do të jetë i përbashkët, tha kryebashkiaku, duke shtuar se nuk ka më kufij, por ka më shumë probleme dhe këto probleme mund të zgjidhen vetëm nëse të gjithë aktorët janë bashkë".

Ky projekt, saktësojnë drejtuesit e pushtetit vendor, do të jetë Plani i Parë Rregullues i periudhës së pluralizmit, i hartuar në bazë të një procesi të decentralizuar dhe gjithëpërfshirës, pas 6 vitesh pune, në bashkëpunim me specialistë vendas dhe evropianë nga fusha të ndryshme akademike dhe shoqërore.

Në këtë dëgjesë publike me qytetarët Rama theksoi se "Plani Rregullues është një tërësi instrumentesh që synojnë të nxisin zhvillimin e kryeqytetit në dekadat e ardhshme, një rregullator që mundëson bashkëveprimin mes interesit publik dhe atij privat, bashkëveprim në fusha të ndryshme të jetës, si mjedis, ekonomi, arsim, transport, habitat".

Risitë

Qeveritarët e pushtetit vendor premtojnë:

"Zona zhvillimi mikse

me më pak trafik e ndotje"

"Plani sjell një risi, duke krijuar zona zhvillimi mikse, ku ndërthuren funksione të ndryshme si strehim, punësim, argëtim dhe shërbime sociale, si dhe lehtësira publike. Si rrjedhojë, do të minimizohet trafiku në qytet, fakt ky që sjell uljen e nivelit të ndotjes". Kjo është vetëm një nga risitë që drejtuesit e pushtetit vendor kanë premtuar se do të sjellë plani i ri rregullues i kryeqytetit. Sipas tyre, plani synon të mbrojë burimet natyrore, të zonave delikate si lumenjtë e liqenet, zonat kodrinore, duke kufizuar ndërtimet në to. Synon të përmirësojë gjendjen ekzistuese të strukturës urbane, nëpërmjet krijimit të hapësirave publike, parqe, lulishte dhe të krijojë akses në zonat tashmë të formuara, me hapjen e rrugëve të reja. Të orientojë zhvillimet e reja, me krijimin e poliqendrave dhe transformimin e zonave ish-industriale, të degraduara dhe të zonave të pastrukturuara apo pa identitet urban, në vende shkëmbimi të kulturave dhe të mirave materiale. Synohet organizimi i një transporti të integruar, që do të thotë stacione të reja treni, krijim i korsive të dedikuara për transportin publik apo biçikletat, si dhe parkimet publike. Tërësia e tyre mendohet të sjellë uljen e lëvizjes së mjeteve motorike private dhe rrjedhimisht aksesimin e menjëhershëm të qendrave të qytetit nga çdo grup-moshë, si dhe uljen e rëndesës së trafikut dhe ndotjes së ajrit.

Reagimi

Përgjigjja e kryebashkiakut Rama kundër akuzave për betonizim

"Tirana, më e gjelbër se Parisi dhe Athina"

Deklarata

"Shtuam gjelbërimin me 1.2 metra katrorë për qytetar në tetë vite"

Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, gjatë kësaj dëgjese publike me qytetarët u është kundërpërgjigjur edhe akuzave të drejtuara ndaj tij për betonizim të kryeqytetit. Rama ka thënë se në këto vite kur ai ka drejtuar Bashkinë e Tiranës gjelbërimi është shtuar me plot 1.2 metra katrorë për banor, gjë që sipas tij lë pas edhe kryeqytete të tilla si Parisi apo Athina. Ndërsa duke mbrojtur draftin e planit të ri rregullues të kryeqytetit ai ka thënë se "ky plan na jep mundësi të shtojmë 175 ha gjelbërim, në një qytet ku në vitin 2000 kishte 3.1 metra katrorë gjelbërim për person dhe sot ka 4.3 metra katrorë gjelbërim për person". Më tej Rama u është referuar edhe shifrave të tjera, duke argumentuar favoret që sjell për qytetarët ky plan i ri rregullues. Ai tha se "në vitin 2020 ne do të kemi mesatarisht edhe 400000 banorë më shumë. Ky plan na jep mundësi të garantojmë 200 mijë vende të reja pune". Për kryebashkiakun, për herë të parë Plani Rregullues nuk është vetëm një studim/plan, por një kornizë rregullash konkrete, instrumentesh, që e bëjnë atë të zbatueshëm, fazash konkrete veprimi, të shoqëruara me investimet përkatëse në infrastrukturë, si dhe studime të detajuara për zonat e para prioritare të ndërhyrjes, nga ku mund të fillojë zbatimi i tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›