E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet importi dhe tregtimi i qumështit kinez

Vetëm një ditë pas alarmit të ngritur nga ana e gazetarëve të emisionit "Fiks Fare", se tregu shqiptar është i mbushur me produkte dhe nënprodukte qumështi kinez me rrezikshmëri prezence të melaninës, ka reaguar Ministria e Bujqësisë. Kreu i këtij dikasteri, Jemin Gjana, nxori dje urdhrin për ndalimin e importit për në Republikën e Shqipërisë të qumështit dhe produkteve me bazë qumështi me origjinë nga Kina. Sipas këtij urdhri, do të bllokohet edhe qumështi dhe produktet me bazë qumështi të magazinuara në Republikën e Shqipërisë me origjinë nga Kina. Gjithashtu, do të hiqen nga tregu edhe produktet, të cilat mund të bien në duart e konsumatorëve që "nuk denjojnë të lexojnë etiketat". Kjo do të bëhet deri në analizimin e këtyre produkteve për përmbajtjen e melaminës në një laborator të një vendi të Bashkimit Evropian. "Nëse pas analizimit përmbajtja e melaminës është mbi limitet e përcaktuara në standarde, produkti do të asgjësohet menjëherë", thuhet në urdhrin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Gjana në këtë dokument ka theksuar se operatori i biznesit ushqimor përgjegjës për importin dhe tregtimin e produkteve të lartpërmendura do të marrë masat për tërheqjen e tyre nga tregu, në rast se pas analizimit në një laborator të një vendi të BE-së, përmbajtja e melaminës është mbi limitet e përcaktuara në standarde, duke kryer menjëherë asgjësimin e produktit. Për zbatimin e këtij urdhri janë ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Pikat e Inspektimit Kufitar, Inspektorati Veterinar i Bashkive pranë doganave, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe operatorët e biznesit ushqimor. Aktualisht, të gjitha vendet e BE-së kanë marrë masa për ndalimin e tregtimit të këtyre produkteve pas skandalit që shpërtheu në Kinë, ku në qumështin dhe nënproduktet e tij u zbulua prezenca e melaminës, një lëndë helmuese dhe mjaft e dëmshme për shëndetin. Disa fëmijë humbën jetën në Kinë dhe mijëra të tjerë iu drejtuan spitaleve për mjekim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›