E Shtunë, 31 Tetor 2026

Institucionet që janë debitorë në Bashki

Bashkia: Ministritë pastrohen, mirëmbahen dhe gjelbërohen me detyrimet që paguajnë qytetarët

Mes borxhlinjve Sokol Olldashi e Lulëzim Basha, si qytetarë dhe si ministra të qeverisë

Bashkia e Tiranës, pak ditë pas deklarimit të zyrtarëve që i kanë borxhe, publikon një tjetër listë me borxhlinj, ministritë që nuk kanë paguar detyrimet e tyre. Gjatë daljes së djeshme për shtyp, zëdhënësja e Bashkisë, Joana Bushi, përmendi emrat e tetë ministrive, të cilat nuk kanë paguar taksën.

"Dëshirojmë të denoncojmë publikisht një numër institucionesh, të cilat janë debitorë ndaj Bashkisë së Tiranës, duke mos paguar detyrimet e tyre për taksat dhe tatimet. Lista është e gjatë, dhe po përmend vetëm disa prej tyre, ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve bashkë me institucionet e saj të varësisë, ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministria e Arsimit dhe e Shkencës me institucionet e saj të varësisë, ministria e Mbrojtjes me institucionet e saj të varësisë, ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, ministria e Brendshme, ministria e Punëve Publike dhe Transportit, ministria e Shëndetësisë dhe institucioneve të saj të varësisë", tha zëdhënësja.

Publikimi i këtyre borxhlinjve është një nismë e ndërmarrë për t'u bërë të ditur qytetarëve të Tiranës, të cilët në mënyrë të rregullt paguajnë detyrimet e tyre pranë Bashkisë, se paratë e tyre pastrojnë, mirëmbajnë dhe gjelbërojnë sot edhe institucionet qeveritare, përfshirë këtu edhe godinat e ministrive, të cilat nuk paguajnë taksat dhe tarifat përkatëse vendore.

Bashkia nënvizon se Tirana evropiane mund të ndërtohet vetëm nëse të gjithë janë të përgjegjshëm dhe kjo nis nga funksionarët e shtetit. "Tiranën evropiane mund ta ndërtojmë vetëm nëse të gjithë jemi të përgjegjshëm dhe kjo përgjegjësi duhet të fillojë në radhë të parë nga funksionaret e shtetit dhe drejtuesit e institucioneve qeveritare, të cilët fatkeqësisht shumicën e orarit zyrtar të punës e shfrytëzojnë duke shpifur e trilluar në kurriz të bashkisë së Tiranës", thuhet në deklaratën e Bashkisë së kryeqytetit.

Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës publikoi një tjetër listë me debitorë ndaj saj, në të cilën përfshiheshin emra të funksionarëve të lartë të shtetit, kryesisht ministra dhe zv.ministra, si ministër i Brendshëm, Lulëzim Basha, ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, si dhe ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, të cilët nuk kishin shlyer detyrimet e tyre si qytetarë të Tiranës, duke lënë pa paguar taksat dhe tarifat pranë Bashkisë së Tiranës.

Në një krahasim mes dy listave, bie në sy fakti se disa ministra janë debitorë në bashki edhe si institucione edhe si qytetarë, si Lulëzim Basha apo Sokol Olladashi. Bashkia bën të ditur se denoncimi publik i pak ditëve më parë ka funksionuar pjesërisht, pasi disa nga pushtetarët e përmendur kanë shlyer detyrimet e tyre edhe pse afatet kohore ishin shkelur.

Lista e ministrive që janë debitorë në Bashki

Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, së bashku me institucionet e saj të varësisë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me institucionet e saj të varësisë
Ministria e Mbrojtjes, me institucionet e saj të varësisë
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
Ministria e Brendshme
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit
Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e saj të varësisë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›