E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova do të hapë ambasadat e para në SHBA dhe Britaninë e Madhe



Ambasadat e para të Kosovës do të hapen në SHBA, Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali. Kështu ka bërë të ditur ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, për gazetën “Express”. Sipas tij, këto veprime do të kryhen sapo të hyjë në fuqi në qershor Kushtetuta e vendit. “Së pari, ambasadat do të hapen në SHBA, Britani të Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali. Sikurse edhe përfaqësime në OKB, BE dhe NATO”, - është shprehur Hyseni. Faza e dytë ka të bëjë me hapjen e ambasadave në vendet fqinje, me të cilat Kosova pretendon të kryejë marrëdhënie më të rëndësishme ekonomike. “Eventualisht më tej, në fazën e tretë do të vijnë shtetet tjera”, - ka shpjeguar Hyseni. Lidhur me frikën se përzgjedhja e stafit diplomatik mund të politizohet nga subjektet në koalicion, Hyseni ka sqaruar se “kriteret e vetme do të jenë kompetenca, profesionalizmi dhe jopërkatësia politike”. “Ne jemi të dedikuar për të bërë gjërat e duhura në fillim, sepse shumë gjëra do të varen në 10-15 vitet e ardhshme nga ajo çfarë bëjmë sot”,-është shprehur Hyseni.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›