E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkursi, 295 mijë euro për 7 projekte fituese

Fondacioni Vodafone Albania, me mbështetjen e donatorëve Vodafone Albania sh.a. dhe Vodafone Group Foundation, ka konfirmuar një kontribut në shumën prej 31.370.907 lekë, rreth 295.000 Euro për zbatimin e 7 projekteve me impakt social në komunitet. Në një ceremoni të veçantë janë prezantuar edhe fituesit e konkursit vjetor "Bota e Ndryshimit", që synon të promovojë pasionin dhe dedikimin e individit për të sjellë një ndryshim në përgjigje të nevojave sociale të komunitetit ku jeton. Kryetari i Bordit Drejtues të Fondacionit, Thomas Papaspyrou, theksoi: "E veçanta e financimit të projekteve për këtë vit është shtrirja e investimit social në disa rrethe, nga veriu e deri në jug të vendit, duke përfshirë Kukësin, Gjirokastrën, Lezhën, Tiranën, si dhe rrethe të tjera". Ndërsa, Haris Broumidis, Drejtor Ekzekutiv i Vodafone Albania shtoi se "në zbatim të politikës së investimit social, ne mbetemi një donator i dedikuar për mbështetjen e programeve dhe projekteve që sjellin impakte sociale, në jetën e njerëzve dhe komunitetit". Fondi i akorduar sigurohet falë kontributit të Vodafone Group Foundation për vitin 2008-9 dhe është në dispozicion të roundit të parë të aplikimeve. Fondacioni Vodafone Albania, së fundmi, ka njoftuar hapjen e raundit të dytë të aplikimeve për të gjithë institucionet e shoqërisë civile, me anë të të cilit do të ofrohen më shumë mundësi për zbatimin e projekteve me impakt social, për vitin në vazhdim. Raundi i aplikimeve do të qëndrojë i hapur deri më datë 17 Maj 2008.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›