E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet hoteli, shfrytëzoi për seks me para 17-vjeçaren

 

Etleva Delia

Policia e Tiranës zbuloi një bazë ku ushtrohej prostitucion në një hotel, që shfrytëzonte një vajzë 17 vjeçe. Hoteli i mbajtur shpeshherë në vëzhgim nga policia për aktivitete të tilla, është bllokuar dy ditë më parë gjatë një operacioni të koduar me emrin e tij, “Blendi”. Aksioni i organizuar nga Antitrafikët e Tiranës, në rrugën “Frederik Shiroka” ka arrestuar tre persona, dy pronarët e hotelit, si dhe një vajzë 17-vjeçare, e cila ushtronte aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia mësohet se kanë përfunduar në pranga me akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “mbajtje ambientesh për prostitucion”, Pëllumb Prendi, 40 vjeç dhe Monika Miçani. Gjithashtu, është arrestuar edhe 17-vjeçarja me iniciale A.S., e cila sipas policisë shtronte prostitucion në ambientet e hotelit të Prendit, kundrejt pagesave që varionin nga 5 mijë deri në 7 mijë lekë të reja. Burimet sqaruan se i njëjti hotel është hetuar edhe disa herë të tjera nga oficerët e Antitrafiqeve për veprimtari të tilla, pasi dyshohej dhe kishte denoncime se ambientet e tij përdoreshin për shfrytëzim prostitucioni. Por policisë i janë dashur disa javë hetime për të siguruar provat e nevojshme, në mënyrë që të ndërhynin për të kryer arrestimet. Në njoftimin për shtyp thuhet se Pëllumb Prendi dhe Monika Miçani dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shfrytëzuar për prostitucion me qëllim përfitimi për një periudhë kohe, adoleshenten A.S., në hotel “Blendi”, në rrugën “Frederik Shiroka” në Tiranë. Gjatë kontrolleve të ushtruara në hotel, u kap në flagrancë edhe vajza 17-vjeçare, e cila në momentin e ndërhyrjes së policisë, ishte duke ushtruar prostitucion me një klient. Menjëherë u krye edhe arrestimi i saj, ndërkohë gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 270 mijë lekë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i jashtëligjshëm, si dhe 3 telefona celularë. Një grup hetimor është ngritur nga oficerët e Antitrafiqeve për të zbuluar lidhjet e mundshme të personave të arrestuar me persona të tjerë. Gjithashtu, sipas policisë dyshohet se 17-vjeçarja me origjinë nga Kukësi, nuk mund të jetë e vetmja adoleshente që ushtronte prostitucion në ambientet e hotelit, i cili tashmë është bllokuar nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›