E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet krijimi i Gjykatës Administrative

Madje, rrezikohet krijimi i kësaj gjykate. Bllokimi i ligjit të Gjykatës së Lartë nga opozita mban peng funksionimin e gjykatave që zgjidhin konfliktet e biznesit. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, flet për pasojat e parikuperueshme të bllokimit të draftit në Parlament.

"Ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm për faktin se Gjykatat Administrative nuk mund të krijohen pa u miratuar ligji për Gjykatën e Lartë. Kjo nëse nuk është një lojë e opozitës, duhet të jetë një qëndrim serioz, i përgjegjshëm dhe profesional i saj në Parlament", deklaroi ministri Halimi.

Deputetët e opozitës në komisionin e Ligjeve, kërkuan shtyrjen e ligjit për gjykatën e Lartë me argumentin e kohës së pamjaftueshme për shqyrtimin e draftit, por kostoja, sipas ministrit, reflektohet në marrjen e statusit të vendit kandidat.

"Nëse nuk do të jap konsensusin, kjo sigurisht do të sjellë pastaj dhe mungesën e krijimit të Gjykatave Administrative dhe kjo është mjaft e rëndësishme për procesin e integrimit në të cilën ndodhet Shqipëria, përpara kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat", u shpreh Halimi, cituar nga “AS”.

Ligji për Gjykatën Administrative u miratua më parë nga Parlamenti me konsensusin e opozitës, por tani kjo strukturë e drejtësisë është e bllokuar, pasi në ligjin e Gjykatës së Lartë duhet të parashikohet ngritja e një kolegji të posaçëm që do të shqyrtojë çështjet administrative. Deputetët pritet ti rikthehen në shtator draftit të Gjykatës së Lartë. /Start/

                                                                                             2012-08-04 18:38
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›