Bllokohet ndërtimi i sheshit në Korçë, kundërshtime nga këshilltarët demokratë
Në mbledhjen e sotme të këtij këshilli, të djathtët kanë rrëzuar kërkesën për miratim të investimit prej 250 milion lekësh më fonde nga të ardhurat e Bashkisë të sheshit para Katdreales së qytetit. Me shumicë votash të këshilltarët demokratë kanë kërkuar që ky projekt ti nënshtrohet sërish një vendimarje pranë KRRT-së së Bashkisë. Sipas argumentimit të tyre ndërhyrjet në një sipërfaqe publike të ndërtesës së Këshillit të Qarkut janë të dëmshme, në një kohë kur ndërhyrja në projekte për të mos prekur këtë lulishte është korrigjuar pak kohë më parë. Debatet në këshill kanë qenë të ashpra, ndërsa kryetari i bashkisë së Korçës Niko Peleshi ka kërkuar që të arsyetohet pa anshmëri politike për të mos e politizuar këtë çështje që i përket gjithë qytetarëve të Korçës. Sheshi kryesor i këtij qyteti aktualisht ndodhet në gjendje mjerane, ndërsa me projektin e ri është menduar që përveç zgjerimit të tij të krijohet një tjetër imazh i Korçës. Të djathtët kanë pretenduar se ndërhyrja në lulishten e Këshillit të Qarkut duke e minimizuar atë është e panevojshme, ndërkohë që ata kanë kërkuar të rishikohet projekti për të mos u votuar për një kalim të tij për në KKRRTSH, një veprim që do të sillte më shumë vonesa. Kryetari i bashkisë së Korçës Peleshi ka kërkuar që të mos vonohet nisja e punimeve e cila duhet të mbyllet brenda një kohe të shkurtër, kërkesë e cila nuk u morr parasysh. Përplasjet në këshillin bashkiak të Korçës kohët e fundit kanë qenë të shumta. Vetëm pak javë më parë projektbuxheti i këtij viti ka njohur përveç përplasjeve mes këshilltarëve të dy forcave kryesore dhe vonesa në miratimin e tij.
I.Frasheri