Shtohen abuzimet e mjekëve me pacientët, 90 ankesa brenda muajit tek Urdhri i Mjekut
Edhe pse deri tani etika e mjekëve nuk ka qenë një ndër pikat e forta në mjediset tona shëndetësore, duke filluar që prej këtij muaji mjekët dhe i gjithë stafi mjekësor, duhet të mendohen disa herë për tu kundërvënë e për të fyer pacientët. Në të kundërt veprimi
do tu kushtojë shtrenjtë, edhe masat do të jenë drastike deri në paralajmërim ose pushim nga puna. Përsa i përket penalizimeve me pushim nga detyra këto masa do të merren nga Institucioni i Urdhrit të mjekut i cili në Bashkëpunim me ISKSH, e specialistë të Drejtorisë së QSUT-së instanca që do të verifikojnë etikën e shkelur në konfliktet apo shkeljet e tjera të mjekëve, të cilat janë shqyrtuar në dosje të veçanta nga Urdhri i Mjekëve. Vetëm gjatë këtij muaji rastet e denoncuara nga pacientët në institucionin e Urdhrit të Mjekëve përsa i përket shkeljes së etikës, abuzimeve, sjelljes jo normale, fyerjeve dhe nivelit të ulët të shërbimit kanë qenë 90 ankesa vetëm nga qytetarë të Tiranës. Burimeve nga Urdhri i Mjekut kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOT se kryesisht këto ankesa kanë të bëjnë me thyerjen e rregullave në spitale nga mjekët, infermierët, shefat e pavijoneve, por edhe nga laborantet madje edhe nga pjesa tjetër e stafit në spitale. Sipas këtyre burimeve lidhur me numrin e madh të ankesave dhe denoncimeve nga qytetarë të ndryshëm është bërë edhe marrëveshja më e fundit për ndarjen e përgjegjësive ndërmjet Urdhrit të Mjekut dhe ISKSH-së. Këto institucione do të marrin e dhe masat për të gjithë shkelësit e rregullave për të cilët do të merren masa deri në pushim nga puna.
Ankesat
Natyra e ankesave të pacientëve është pozicionuar në shumë pak shërbime mjekësore. Nga 90 rastet e paraqitura pranë Urdhrit të Mjekut 46 prej tyre janë për mungesën e komunikimit me mjekët dhe lindjen e konflikteve mes tyre. Ndërsa pjesa tjetër e ankesave janë për mungesë të shërbimit të dhënë nga specialistët. Kryesisht ankesat e paraqitura janë për mjekët stomatologë, por nuk mungojnë as ankesat për shefat e shërbimeve në QSUT, apo mjekë të tjerë neurologë, kirurgë, hematologë, alergologë etj. Ashtu si vitet e tjera, ankesat e paraqitura kanë qenë për të gjitha shërbimet në sistemin shëndetësor, ndërsa gjatë këtyre muajve ato janë shtuar edhe janë minimizuar vetëm përsa i përket cilësisë së shërbimit sjelljes dhe etikës së mjekëve.
Verifikimi
Sipas rregullores së Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha ankesat e mbërritura në Urdhrin e Mjekëve, pa përjashtim i nënshtrohen shqyrtimit dhe vendimmarrjes në kryesinë e Këshillit Rajonal. Rregullorja parashikon që ankesat të jenë të dorëzuara me shkrim dhe të paraqesin tërësisht situatën dhe llojin e mjekimeve që kanë marrë, apo shkakun kryesor të problemit. Ata marrin parasysh vetëm ankesat me shkrim, të firmosura nga ankuesi apo përfaqësuesi zyrtar i institucionit që bën denoncimin, si dhe konstatimet e sinjalizuara nga mas-media. Urdhri i Mjekëve shqyrton rastet dhe ndërmerr masa disiplinore kur mjekët kanë shkelur kompetencat profesionale dhe ku evidentohen mangësi serioze në rastin e kurimit të pacientëve. Mjekët marrin në shqyrtim ankesat e pacientëve kur ka një akuzë për shpërdorim apo sjellje të keqe profesionale. Në gjykimin e Urdhrit të Mjekëve bëjnë pjesë të gjitha rastet kur një mjek është dënuar nga organet e drejtësisë. Njëkohësisht, masa merren kur për shkak të gjendjes shëndetësore të mjekëve, ai bëhet i paaftë dhe i papërgjegjshëm për të ushtruar profesionin. Nëse rasti është me pasojë vdekje, çështja i shkon organeve të drejtësisë. Urdhri i Mjekut, në rast konstatimi të fajit të mjekut ka të drejtë të marrë masë me gjobë dhe deri në pezullim nga puna. Rregullorja u lejon të japin si masë disiplinore; vërejtje me paralajmërim; gjobë, nga 1.000 - 100.000 lekë; propozim për shkarkim nga funksione drejtuese në institucione shëndetësore etj. Ky institucion ka të drejtë të pezullojë nga puna, mjekët e fajësuar, deri në dy vjet. Më pas, mjekët kanë të drejtë të kthen në detyrë. Pranë Urdhrit të Mjekëve, drejtohen dhjetëra ankesa, të cilat shqyrtohen nga komisioni përkatës. Shpeshherë çështjet kanë përfunduar, duke gjetur kompromis mes palëve. Ndërsa në raste të tjera procedurat janë tejzgjatur, por nuk kanë munguar edhe rastet kur mjekët që janë konstatuar me shkelje dhe masat e marra për ta kanë qenë pushim nga detyra.
Arta AGOLLI