Bllokohet në Kakavijë 55 kg marihuanë në autobusin e linjës Tiranë – Athinë
Policia kufitare e Kakavijës (Gjirokastër) ka ndaluar në orët e para të ditës së sotme dy drejtuesit e një autobusi të linjës ndërkombëtare Tiranë-Athinë, ku gjatë një kontrolli rutinë u zbuluan 55 kg lëndë narkotike të llojit marihuanë. Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e kufirit dhe migracionit pohuan se “Fredinand Nano, 48 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë dhe Ilia Goxhai, 38 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, janë dy shoferët e autobusit me targë TR 74 54 L, i shoqërisë Lilo Tours". Sasia e drogës u gjet e fshehur në pjesën e jashtme të tavanit të mjetit dhe ajo ishte e vendosur në disa pako, të mbështjella me letër natriban. “Në autobus ndodheshin vetëm katër pasagjerë, të cilët së bashku me dy drejtuesit e mjetit u shoqëruan në policinë e Gjirokastrës. Pas hetimeve paraprake, si posedues të lëndës narkotike u indentifikuan dy shoferët”, thanë burimet zyrtare. Ndaj dy drejtuesve është ngritur akuza “trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Një ditë me parë, policia lokale e Gjirokastrës, në bashkëpunim me strukturat e policisë së shtetit, sekuestruan në Lazarat 500 kilogram marihuanë, ndërsa ndaluan dy persona.
...