E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike dhe trishtimi i Ramës për karrige

Kriza e ekonomisë globale është një realitet që s’mund të fshihet. Po kështu, një realitet i pamohueshëm është dhe fakti që efektet negative të kësaj krize nuk janë kudo të njëjta. Dhe kjo është mëse normale. Çdo vend ka specifikat e veta të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, ndaj janë natyrshme shkallëzimet e pasojave në secilin prej tyre. Statistikat negative për bankat, financat, ekonominë, punësimin, tregtinë, etj., që përllogariten kryesisht nga institucionet e vendeve të zhvilluara perëndimore janë shqetësuese. Kjo edhe për faktin se ata janë orë e çast në gatishmëri për të matur dhe evidentuar me saktësi çdo lloj ndikimi negativ, sado i vogël qoftë ai, në ekonomi apo jetën politiko-shoqërore. Natyrisht një konstatim i tillë nuk do të thotë aspak që alarmi i dhënë është i ekzagjeruar. Përkundrazi. Angazhimi i deritanishëm i organizmave ndërkombëtare, qeverive dhe politikanëve të vende më të zhvilluara të globit, bankave dhe ekspertëve më në zë të këtyre vendeve, etj., duke propozuar paketa dhe plane të ndryshme “antikizë”, tregon se jo vetëm përmasat e krizës por edhe përpjekjet për zgjidhjen e saj janë të mëdha. Natyrisht askund nuk ka vend për panik, qoftë edhe në rastet kur pasojat negative të krizës së sotme krahasohen me ato të krizës më të madhe në historinë e zhvillimit të kapitalizimit botëror, atë të viteve ’29-’33. Por masa për përballimin e efekteve negative të kësaj krize duhen marrë kudo, veçanërisht nga vendet që janë më të prekuara prej saj.
Megjithatë, teksa është i pranishëm alarmi, s’ka si të mos jetë prezent debati rreth shkaktarëve të kësaj krize apo masave për daljen prej saj. Natyrisht, si në shumë raste të tjera, cilësia e analizës dhe standardi i vendimarrjes politiko-institucionale varet shumë nga niveli i zhvillimit demokratik dhe eksperienca tekniko-profesionale e çdo vendi të veçantë. Kësisoj, konkluzionet dhe rrugëzgjidhjet e ardhura nga zyrat dhe katedrat e vendeve të zhvilluara perëndimore, janë ndër më të arrirat, por kjo s’do të thotë se duhen  marrë si aksioma nga të tjerët. Kjo dhe për faktin se dallimet politike midis të majtës dhe të djathtës në botë kanë ndikimin e tyre subjektiv në përcaktimin e shkaqeve apo dhënien e rrugëzgjidhjeve për krizën aktuale globale. Majtistët kanë tendenca për t’ia faturuar krizën “natyrës së sistemit kapitalist”, ndaj debati i tyre është më tepër i natyrës politike, duke shpërfillur faktorët tekniko-ekonomik të organizimit të punës në sipërmarrjet private apo reformat e ndryshme qeverisëse. Në këto kushte, zërat më autoritarë të botës akademike si nobelistë apo ekspertë të tjerë që ecin përkrah tyre, të cilët kanë sakrifikuar e kontribuar për natyrën triumfatore të kapitalizimit të sotëm si sistem politiko-shoqëror, ndjehen keq përballë arsyetimesh dhe rrugëzgjidhjesh të tilla. Ata nuk kanë hezituar t’i quajnë disa prej këtyre zgjidhjeve si “rikthim tek metodat marksiste e socialiste”. Në këtë mënyrë, ekonomistë e bankierë nga më të shquarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Angli, Gjermani, etj., kanë reaguar ndaj planeve apo skenarvëe antikrizë që kanë propozuar udhëheqësit politik të këtyre vendeve, duke i konsideruar ato  si “jo efiçiente për natyrën e sietmit kapitalist”. Madje disa prej tyre kanë shkuar edhe më tej duke i quajtur këto ndrëhyrje si tendenca që “shkelin rregullat dhe parimet e shenjta të ekonomisë së tregut”.
Natyrisht, ky është një debat ekspertësh të njohur të fushës së ekonomisë dhe financave. “Politizimi” i tij bënë që të mos dallohen qartë ndryshimet midis politikave liberale të mosndërhyrjes në treg dhe masave të tipit “Keynes”-ianiste për prezencën e shtetit në ekonomi. Nga ana tjetër, këto dy qëndrime, që ndajnë politikisht të majtën me të djathtën, sot kanë evoluar dhe nuk mund të flitet më për për një ndarje si me thikë të tyre. Për më tepër që “Keynes”-ianizmi klasik parashikon një ndërhyrje të shtetit në ekonomi me synim “financimin” e nxitjes së konsumit si faktor i rritjes së prodhimit. Mënyrat me të cilat sendërzohet sot teoria “Keynes”-ianiste janë bërë më të moderuara, duke inicuar rritjen e investimeve publike që ndikojnë në rritjen e drejtpërdrejtë të PBB-së. Po a janë të tilla paketat e masave antikrizë që ka ndërmarrë kohët e fundit Presidenti Obama apo lider të tjerë të ekonomive më të fuqishme të Europës, ku qeverisin të majtët e moderuar? Me gjithë njohuritë tepër modeste që kam unë në raport me ekonomistët dhe politikanët më të spikatur të kësaj bote, mendojë se zgjidhje të tilla nuk i kontribuojnë siç duhet zgjidhjes së krizës aktuale. Sepse, më shumë se sa me zgjidhje, kemi të bëjmë me disa prita për të ndalur rrokullisjen e metejshme ekonomiko-financiare të këtyre vendeve. Por burimi i këtyre shkarkimeve nuk është bllokuar, ndaj pritat e ngitura vihen gjithmonë e më shumë nën presionin e materialit të depozituar, duke rrezikuar të shpërthejnë në një moment të caktuar dhe të dëmtojnë zeriozisht gjithëçka gjejnë përpara. Nga ana tjetër mendojë që shkaktarët e krizës nuk janë të njëjtë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë, Japonisë, etj. Nëse, fjala vjen, shkaku i krizës në SHBA ishin “kreditë imobilare”, në vendet e Europës së Bashkuar, një situatë e tillë mund të shkaktohet nga problematika e mbartur e vendeve të reja anëtare. Në këtë mënyrë edhe rrugëzgjidhjet e krizës nuk mund të jenë të njëjta kudo.
Ka patur një moment krize të tillë në Shqipërinë e vitit ‘97, kur falimentuan firmat huamarrrëse. Shumë politikanë dhe ekspertë të asaj kohe që i përkisnin kryesisht krahut të majtë politik propozuan si zgjidhje, “marrjen përsipër nga shtetit të detyrimeve”, që këto firma u kishin kreditorëve shqiptarë. Në pushtet ishte Partia Demokratike. Presidenti i asaj kohe, Prof. Dr. Sali Berisha dhe qeveria “Meksi” e refuzuan një zgjidhje të tillë, e cila binte në kundërshtim me filozofinë e tyre politike dhe parimet e ekonomisë së tregut. Natyrisht ata nuk qëndruan indiferent por propozuan një zgjidhje mjaft të drejtë, e cila po të ishte pranuar nga kreditorët dhe kundërshtarët politik, Shqiëpria sot do të ishte me kohë anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s. Kush ishte zgjidhja? Përjashtimi nga taksat dhe tatimet e aktiviteteve ekonomiko-financiar të këtyre firmave dhe dhënia e kredive për aktivitetin prodhues të tyre, me synim që të mundësohej shlyerja dora-dorës e principalit të depozituar nga çdo kreditor. Por opozitës së asaj kohe nuk i interesonin zgjidhjet ekonomike që jepte mazhoranca, pasi “karriget” e pushtetit për ta ishin më të shtrenjta se sa vetë Shqipëria. Kjo ishte arsyeja që zgjidhjen e krizës e kërkonin tek “rrëzimi me çdo mjet nga pushteti të Berishës dhe demokratëve”. Kështu që edhe premtimi i Fatos Nanos “për kthimin 100% të parave të humbura në firmat piramidale”, pas ardhjes të së majtës në pushtet, përpara se sa të ishte një mashtrim ishte një pikpamje politike për zgjidhjen e krizës që buronte nga filozofia e tyre social-marksiste. Kuptohet, për të majtën tonë kjo është një filozofi mjaft e parinovuar dhe tërësisht e arnuar, krahasuar me pikpamjet e të majtës së moderuar, për kapitalizmin dhe ekonominë e tregut në përgjithësi.
E majta moderne, vazhdimisht e ka axhustuar me element socialë teorinë dhe praktikën kapitaliste, kur ka qënë në pushtet. Por kjo cilësi politike lidhet me veçoritë qeverisëse dhe profilin drejtues të së majtës në momente të zakonshme dhe jo me situatat në kohë krize. Për rrjedhoj financimi me synim mbijetesën mjerane të borxhllinjve të këqij apo sipërmarrjeve të falimentuara nuk janë zgjidhje me kartaker social-kapitalist, por zgjidhje me karakter social-komunist. Një qëndrim i tillë prish ekuilibrat natyral të tregut dhe dëmton konkurencën e ndershme. Kjo është arsyeja që ekonomistët modern i kritikojnë si, jo në përputhje me ligjësitë e kapitalizimit, zgjidhjet e dhëna me blerje borxhi apo paketa të rimëkëmbjes financiare nga disa qeveri të vendeve të zhvilluara të botës.
Këto lloj debatesh e pikpamjesh janë importuar edhe në Shqipëri, pavarësisht se vendi ynë ende nuk është përfshirë nga kriza globale dhe niveli i këtij debati lë shumë për të dëshiruar. Natyrisht debati i parë tek ne lidhet me dilemën: kemi apo nuk kemi krizë?!... Politikanët e majtë me në krye Edvin Ramën mendojnë se, “vendi ynë ndodhet në krizë të thellë”, ndaj duhet “një paketë antikrizë” për përballimin e saj. Madje, shkaqet e krizës ata më shumë i lidhin me “qeverisjen e dështuar Berisha” se sa me përhapjen e “virusit” ndërkombëtar të saj, pavarësisht se tjetër gjë mendojnë dhe ndryshe e artikulojnë atë. Konkretisht, si shkaqe të krizës në Shqipëri ata përcaktojnë zvogëlimin e remitancave, zhvlerësimin e lekut kundrejt euros dhe dollarit, rënin e ritmit të kredidhënies, zvogëlimin e importeve, pamjaftueshmërinë e burimeve financiare për disa biznese, etj. Por e vërteta është se faktor të tillë, të cilësuar si shkaqe të krizës nga politikanët e majtë, ose kanë një status të diktuar nga maturimi i procesit, sikundër është çështja e rënies së remitancave me kalimin e mbi 15 viteve në emigracion apo lidhen në mënyrë dialektike të tipit shkak-pasojë për ecurinë e çështjeve të tjera ekonomike. Konkretisht; rënia e importeve para se sa të shpjegohet më praninë e krizës, lidhet me rritjen e prodhimit vendas apo të eksporteve. Po kështu rënia e ritmeve të kredidhënies, më shumë se sa pasojë e krizës është dëshmi e mungesës së saj. Ndërsa zhvleftësimi i lekut kundrejt euros dhe dollarit është një dukuri normale, e cila nuk ndodhet në shifra të tilla alarmante, që po të përdorim disa terma mjeksor, bie në sy më shumë si profilaksi se sa si epidemi.
Teorikisht dhe praktikisht, një nga shfaqjet më të dukshme të krizës është rënia e treguesit të rritjes ekonomike dhe ndrydhja për të kryer investime publike apo pamundësia për rritur pagat, pensionet dhe të ardhurat buxhetore në përgjithësi. Siç dihet, supriza më e madhe që qeveria shqiptare  rezervoi për qytetarët e saj në mbyllje të vitit ’08 ishte treguesi dyshfiror i rritjes ekonomike për disa muaj rresht, i cili së fundi mori edhe çertifikimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Për vitin në vazhdim parashikimet e ekspertëve ndërkombëtar janë akoma më optimiste, lidhur me këtë tregues. Faktet tregojnë se ekonomitë më të paprekuara nga kriza e sotme globale janë ato të Kinës, Indisë, Brazilit, etj., që treguesin e rritjes ekonomike e kanë mbi 7-8 për qind. Me këtë performacë rritjeje është paraqitur gjatë vitit të kaluar e do të vazhdojë edhe gjatë ’09-ës edhe ekonomia shqiptare, si rezultat i ndërmarrjes së mjaft reformave të ndryshme, sidomos në drejtim të sistemit fiskal dhe luftës ndaj korrupsionit të trashëguar nga qeverisjet majtiste. Nga ana tjetër, janë duke vazhduar me ritëm të paparë investimet në majft vepra të ndryshme publike dhe interesi i të huajve për të investuar në Shqipëri shtohet dita-ditës. Tarifat e ulëta të taksave, rritja e investimeve, ku vetëm gjatë vitit ’08 qeveria ka investuar 32% të buxhetit, mbështetja me kredi e sektorit të ndërtimit, privatizimet e sukseshme, etj., janë disa faktor që dëshmojnë për mungesë krize në Shqipëri. Me të drejtë kryeministri Sali Berisha, gjatë jë konference shtypi, shtroi pyetjen retorike si një kundërpërgjigje për ndjellësit majtist të fatkeqsisë (krizës) se: “Kush do të ishte ai institucion ndërkombëtar që do të blinte me 104 milion euro sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, nëse vendi do të ishte në krizë?”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për blerjen prej 48 milionë euro të 12% të AMC-së, ose me 60% të vlerës së privatizimit të kësaj kompanie, ndërkohë që atëherë në treg nuk kishte asnjë operatorë tjetër, ndërsa momentalisht po liçensohet operatori i katërt i telefonisë celulare. Vetëm me privatizimet e realizuara nga qeveria muajt e fundit janë inkasuar në arkën e shtetit mbi 250 milion euro. Në këtë kontekst vlen të përmendet edhe kredia prej gati 300 milion dollarë, që “Deutsche Bank”, “Reiffeisen Bank” dhe disa banka të tjera të mëdha, i akorduan Shqipërisë.
Fakte të tilla përgënjeshtrojnë hapur thirrjet kobndjellëse të të majtëve për krizë ekonomike në Shqipëri. Pyetja që shtrohet në këtë rast është e thjeshtë: Cili do të ishte ai bankier, administrator, financier, ekonomist apo sipërmarrës vendas dhe i huaj, “me dy pare mend në kokë”, që të mund të merrte vendime të tilla të rëndësishme për të investuar në një vend të prekur nga kriza? Kjo do të thotë se kriza në Shqipëri ekziston vetëm në mendjen e sëmurë të Edin Ramës & co. Po kështu bien edhe kërkesat majtiste për “paketë antikrizë”. Kjo edhe për faktin se një “paketë” e tillë ka qënë pjesë përbërëse e programit qeveritar të demokratëve qysh nga ’05-a e në vazhdim. Reforma fiskale dhe rritja e vazhdueshme të ardhurave për qytetarët shqiptarë janë ndër elementët më të rëndësishëm të kësaj “pakete”. Konkretisht, aplikimi i taksës së sheshtë në masën 10%, përgjysmimi i taksës për biznesin e vogël, ulje në 15% e kontributit të sigurimeve shoqërore apo ulja me mbi 6 herë e tarifave doganore, që janë objektiva të paarritëshme për shumë vende të zhvilluara të globit, para së gjithash janë incentiva për uljen e kostos së jetesës qytetare. Politikë sociale më korrekte dhe më perfekte se sa kjo nuk mund të ketë. Po kështu, rritja me 68% e rrogës mesatare dhe me mbi 40% e pensioneve mesatare përbën një mundësi tjetër për rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve, sikundër është dhe marrja përsipër nga qeveria e kostos së kredive për blerjen e 6 mijë apartmenteve banimi për të pastrehët. Janë të tjera gjëra, pastaj; rritja e sigurisë, prosperitetit dhe besimit të ndërkombtarëve te Shqipëria, e cila po bëhet çdo ditë e më shumë shembëll frymëzimi  për t’u ndjekur jo vetëm nga vendet  e rajonit, por dhe më gjerë. E para në Europë për treguesin e rritjes ekonomike, e dyta në botë për lirinë e të bërit biznes, e shumë “medalje” të tjera nderi si këto e bëjnë Shqipërinë të mbrojtur edhe nga kriza globale. Natyrisht që s’mund të themi se vendi ynë nuk do të ketë asnjë pasojë nga kjo krizë, por profilaksia e deritanishne tregon se ajo do ta kalojë shumë me lehtë se të tjerët këtë epidemi të rëndë globale.
Në këto kushte nuk ka kuptim që për hir të kapitalit politik të mos tregohemi realist dhe aq më tepër t’u biem pa shkak borive të alarmit për të terrorizuar qytetarët. Të ndjellësh krizë, siç bën Edvin Rama, në një kohë që ajo s’ekziston, do të thotë të ndjellësh fatkeqësi për këtë popull dhe të fërkosh duartë për vaujtjet e tij. Aq më i trisht dhe më i pabesueshëm bëhet ky lloj vajtimi majtist, kur kujton se kërkesat e tyre për paketën antikrizë përmblidhen në sentencat e tipit: “reforma të forta rregullatore”, “politika buxhetore e fiskale lehtësuese” dhe “mbështetje totale për shtresat në nevojë”, të cilat qeveria “Berisha” i ka patur si parime qeverisëse qysh kur erdhi në pushtet në zgjedhjet parlamentare të vitit ’05. Shembujt e treguar pak më lart janë përgjigja më e mirë në këtë drejtim. Por Edvin Ramën & co, më shumë se sa prania e krizës, e shqetëson mungesa e saj. Ai është si “ujku që kërkon mjergull” për të përfituar pushtet të pamerituar, pasi në duele votimesh të rregullta demokratike është i humbur. Përveç të tjerash një qëndrimj i tillë politik, më shumë se sa papjekuri tregon ligësi. Rama ndodhet në këtë moment të rëndë trishtimi edhe duke u krahasuar me mbështetjen politike apo përkrahjen publike që gëzonte Fatos Nano, paraardhësi i tij në krye të Partisë Socialiste. Kur humbi Nano, mendon Rama, unë jam dhjetëfish i humbur përballë Berishës. Për më tepër tani që “ameba-parti” është ndarë në disa bijëza të tjera përveç LSI-së, ndryshe nga sa ndodh me Partinë Demokratike, rreth të cilës po bashkohen gati të gjitha partitë e spektrit të djathtë. Dhe së fudni, kur ka reagime apo kritrika ndaj skenarëve metodikë për zgjidhen e krizës, fjala vjen, në SHBA, Gjermani, Angli, etj, si duhet qëndruar sehirxhi përballë skenarëve ourzinjë të Ramës për çorroditjen e shqiptarëve nëpërmjet alarmeve të rremë për krizë ekonomike, pavarësisht se gjithëkush e di, që kjo për kryesocialistin është thjeshtë një krizë për karrige?!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›