Bllokohet në Kukës autostrada
Tension, frikë, shtyrje dhe armë të policëve të FNSH-së, pranë kovave të fadromave po shoqërojnë çdo centimetër avancim në ecurinë e punimeve në segmentin Kukës-Morin, pjesë e korridorit Durrës-Kukës.Edhe dje, e njëjta gjendje e nderë ka shoqëruar punimet në dalje të qytetit të Kukësit. Punonjësit e firmës ndërtuese nuk janë lejuar nga banorët që ruspat e tyre të marrin përpara pemët e mbjella e tokat me grurë e më tej ndërtimet e bëra në dy vitet e fundit në këtë vend. Zona u përfshi si pjesë e rrugës pas ndryshimit të projektit, i cili tashmë ka prekur disa shtëpi banimi dhe parcelat e banorëve të fshatit Gostil, duke shmangur kalimin nga ish-ndërtesat e divizionit dhe tunelet e ushtrisë. Duket se puna këtu ka ecur me hapin e breshkës, pasi dhe vetë punonjësit e firmës janë gjendur përballë një presioni të madh të banorëve që kërkojnë siguri, se pronat e tyre do të kompensohen. Të detyruar nga kjo situatë, ata kanë kërkuar ndihmën e policisë. Kështu 40 policë të FNSH-së së Shkodrës të veshur dhe me antiplumb, shoqërojnë gjithë ditën fadromistët dhe shoferët në punën e tyre në gërmimet e dherave, ndërkohë që po kaq forca të policisë së Kukësit janë stacionuar prej ditësh në dalje të qytetit, aty ku dhe punohet. Banorët kërkojnë kompensim të pronave të tyre, por shteti ka kërkuar që të plotësohet dokumentacioni. Shumë prej tyre janë banorë informalë që kanë blerë tokat nga ish-pronarët dhe kanë ndërtuar shtëpi. Honi i madh që është hapur ndodhet pranë banesave të tyre, ndërkohë që hardhitë madje dhe lakrat e mbjella në oborr kanë përfunduar në materialet që hidhen poshtë për të krijuar gjurmën e rrugës. Gratë kanë qenë më agresivet, duke arritur që shpeshherë t’i shpëtojnë rrethimit të policisë dhe të ndalojnë punën e fadromave. Njëra prej tyre që duket se dhe zëri i ka humbur nga të bërtiturat dhe me një thikë të madhe në dorë, me të cilën ka prerë lakrat, akuzon policinë se e ka keqtrajtuar. Madje, ajo shkon deri aty sa të kërcënojë se nëse policët i afrohen sërish do t’i sulmojë me thikën që mban në dorë. Më në “siklet” në këtë përballje duket se janë policët e Kukësit, të cilët kanë dhe njohje me shumë prej protestuesve. Ndërkohë drejtori i policisë së qarkut, Muharrem Furriku, ka deklaruar se në asnjë rast policia nuk ka keqtrajtuar protestuesit, duke u bërë thirrje që ata të tregohen të duruar.