E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria ultimatum për Fazlliç: Eja të dëshmosh para fundshkurtit

 

TIRANE – Prokuroria shqiptare dërgoi letërporosi në Londër në adresë të biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, të cilit i është kërkuar që të paraqitet në organin e akuzës deri më 28 shkurt për t’u marrë në pyetje lidhur me akuzën e pastrimit të parave. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave bashkë me lëtërporosinë, që u është dërguar autoriteteve angleze ku kërkohet verifikimi i 33-vjeçarit Damir Fazlliç, nëse ai ka precedentë apo shkelje ligjore në Britaninë e Madhe, ndodhet edhe fletëthirrja. Prokuroria tha se pasi ka konfirmuar vendndodhjen e biznesmenit boshnjak përmes avokatëve të tij, ka vendosur që fletëthirrja të dërgohet në Londër, me qëllim që biznesmeni të vihet në dijeni. Avokatët kanë pohuar paraqitjen e biznesmenit për të dëshmuar, megjithatë Prokuroria tha se afati i fundit që i është lënë 33-vjeçarit është 28 shkurti. “Nëse nuk paraqitet në këtë datë të vendosur si afati i fundit, atëherë Prokuroria do të marrë masat që personi ndaj të cilit zhvillohen hetime të paraqitet për të plotësuar detyrimet ligjore”, thanë burimet nga prokuroria. Kjo e fundit filloi hetimet ndaj biznesmenit Fazlliç që në tetor 2008, pasi u bënë publike të dhënat për shitjen e një kompanie të tij për 1.7 milionë euro, kur ky subjekt nuk kishte deklaruar asnjë aktivitet apo fitim dhe kapitali fillestar kishte qenë vetëm 1 mijë euro.            tr.so     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›