E Diel, 1 Nëntor 2026

Italianët fitojnë qendrën e qytetit

 

DURRES- Qendra e Durrësit do të shndërrohet me rreshta pemësh simetrike, shëtitore me kalldrëm, bar dhe mozaikë. Pas një diskutimi maratonë, juria e specializuar shpalli dje fitues projektin me moton "Folding" të studios së arkitekturës Michele Cro nga Roma. Kjo studio e drejtuar nga Michele Cro dhe bashkëpunëtore me studion "Idea Verde" ka punuar projekte sheshesh publikë dhe godina të ndryshme në Romë, Venezia, Barcelonë etj. Vendimi që shpalli fituese italianët nga Roma ka skualifikuar automatikisht katër projektet e tjera në garë "Con Shesh Temporary", "Linea D'Ombra", "Suoli Sensibili" dhe "Sun Dial". Anëtarët e kësaj jurie që përzgjodhi projektin e quajtur "Folding" janë arkitekti Alain Coussaran nga Franca, arkitekt Luca Zevi i Institutit Kombëtar Italian të Arkitekturës, Alberto Monti, i cili është arkeolog në Universitetin e Parmës, arkitekti Rocco Maragna nga Kanadaja, kritiku i artit Edi Muka, arkitektët Viktor Dhimgjini dhe Marin Biçoku nga Ministria e Punëve Publike, transportit dhe telekomunikacionit. Në lidhje me rivitalizimin e këtij sheshi administrata e bashkisë ka parashikuar një vlerë të përafërt prej 5 milion euro, e cila do të investohet në sistemimin arkitektonik dhe hapësirave të blerta. Në këtë konkurs me dy faza paraeliminatore kanë paraqitur projektet e tyre 36 studio projektimi tepër të njohura nga shumë vende të botës. Në fazën e parë nga ku dolën 5 projektet më të mira morën pjesë studio projektimi nga Italia, Portugalia, Meksika, Gjermania, Britania e Madhe, Japonia, SHBA, Spanja, Austria etj. Këto projekte janë shqyrtuar nga juria, e cila përbëhet nga 7 anëtarë dhe presidenti i nderit, që është kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Ruajtja e trashëgimisë kulturore të lashtë, duke i dhënë gjallëri qendrës së ardhshme të qytetit antik, përbën një nga synimet kryesore të organizatorëve të këtij konkursi ndërkombëtar. Pesë projektet që dolën në fazën finale erdhën nga 3 studio projektimi italiane, një portugeze dhe një britanike. Ky projekt parashikon disa rreshta pemësh në anën lindore si dhe një vend pushimi i ndarë nga rruga e makinave, në pjesën perëndimore një shëtitore dhe gjithçka përfshihet në një shtresë gjigante të mbuluar në disa pjesë me bar, kalldrëme, gurë mozaikë etj.                                              o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›