Vetëhelmohet 57-vjeçari, mister shkaqet
Elbasan- Një tjetër shtetas i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Jatesh, komuna Papërr e Elbasanit. Sipas policisë, viktimë e vetëhelmimit është një shtetas 57-vjeçar, lindur e banues në këtë fshat. “57-vjeçari mbërriti në spital në gjendje të rëndë dhe nuk ka mundur të mbijetojë edhe pas ndërhyrjes së mjekëve”- thonë burimet policore. Mësohet se ende nuk është përcaktuar lloji i helmit që ka pirë, por sipas mjekëve duhet të ketë qenë një pesticid tepër i fortë që ka pasur efekt të menjëhershëm vdekjeprurës.
Ai është sjellë në spital nga të afërmit e tij, të cilët nuk kanë dhënë asnjë motiv rreth ngjarjes. Dyshimet e para, janë për një gjendje të rënduar depresioni, por policia deklaron se do të dalë me version zyrtar pasi të mbyllë hetimet për ngjarjen.