E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet në kohë të pacaktuar tuneli i Kalimashit

Nga ora 23:00 deri në orën 07 të mëngjesit tuneli do të jetë i bllokuar pasi do të punohet në betonimin e pjesë së mbetur


KUKËS - Bllokohet në kohë të pjesshme dhe në një periudhë të pacaktuar tuneli sapopëruruar i Kalimashit, në autostradën e re Fushë-Dukagjin-Kalimash, 61 kilometër e gjatë.


Në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, në orën 23:00, është bllokuar qarkullimi në tunelin e Kalimashit, për të rifilluar rreth orës 07:00 të mëngjesit të së martës. Duke qenë se ky bllokim nuk ishte njoftuar, shumë automjete janë detyruar të presin në të dy anët e tunelit deri në hapjen e tij.


Bllokimi do të vazhdojë çdo natë në një periudhë ende të pacaktuar. Ky fakt bëhet i ditur nga Arnold Diks (Arnold Dix), eksperti i pavarur i kontraktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për monitorimin e sigurisë së tunelit.


Diks shprehet se nga ora 23-07 do të punohet në tunel, në pjesën prej 1 kilometër, ku do të kryhen punime që kanë të bëjnë me betonimin e kësaj pjese, si dhe me instalimin e kamerave e pajisjeve të tjera që do të jenë në shërbim të kontrollit e sigurisë në tunelin 5,65 kilometër të gjatë.


Ndërprerja e qarkullimit në tunel në këtë orar ishte paralajmëruar nga drejtuesit e firmës menaxhuese të tunelit "Savernik"dhe ato të kompanisë ndërtuese "Bechtel&Enka" që në ditën e përurimit të lëshimit të qarkullimit në tunel dhe në autostradën Fushë-Dukagjin-Rrëshen më 25 qershor. Por për arsye të fushatës elektorale dhe të zgjedhjeve të 28 qershorit, kjo nuk kishte ndodhur.


Policia përgjatë këtij orari ka ngritur postbllok në hyrje të autostradës në Rrëshen dhe në dalje të saj në Fushë-Dukagjin të Kukësit. Gjatë këtij orari, policia do t'i orientojë drejtuesit e automjeteve për të qarkulluar në rrugën e vjetër, në të kundërt duhet të presin orën 07 të mëngjesit për të kaluar në tunel.


Mbrëmjen e së hënës shumë automjete janë detyruar të presin në të dyja anët e tunelit, pasi mbyllja e tunelit në orarin e lartpërmendur nuk ishte e njoftuar. "Kjo është një detyrë e Ndërmarrjes së Rrugëve",- deklarojnë zyrtarët e kompanisë menaxhuese në tunelin e Kalimashit.


Përurimi i tunelit të Kalimashit dhe i autostradës Durrës-Kukës-Morinë u bë më 25 qershor, vetëm dy ditë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Por në ditën e përurimit, tuneli nuk kishte përfunduar plotësisht, ku rreth 1 kilometër kishte mbetur pa u betonuar.


Kjo është bërë për arsye se në bazë të kushteve teknike fazat e betonimeve të mëtejshme kërkojnë një periudhe të caktuar kohore. Për arsye sigurie, firma ndërtuese ka vendosur në të gjithë gjatësinë një rrjetë mbrojtëse për rënien e pluhurave dhe gurëve.


Me 26 qershor, në orët e mbrëmjes, një kamion dëmtoi rrjetën ku për pasojë ranë gurë në dyshemenë e tunelit, duke bllokuar për rreth 20 minuta qarkullimin. Krahas betonimeve të tunelit, do të vendosen edhe kamerat e sigurisë. Kjo do të lehtësojë qarkullimin në tunel duke e aplikuar në dy kalime. Mungesa e kamerave ka bërë që automjetet të qarkullojnë vetëm në një korsi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›