Bllokojnë dialogun
Nëse zbatohen rekomandimet e miratuara të enjten në Kuvendin e Kosovës, atëherë Edita Tahiri nuk do të bisedojë me Serbinë për asnjë çështje tjetër pa u zgjidhur problemi i personave të pagjeturave.
Ky është rekomandimi kryesor i dalë nga interpelanca e Shefes së Delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, e cila është thirrur nga disa deputetë të tregojë se çka ka ndodhur me çështjen e të pagjeturve në dialogun që po zhvillohet me Beogradin.
Me 55 vota për, 9 kundër dhe asnjë abstenim janë votuar këto rekomandime të deputetëve për Zëvendëskryeministren Edita Tahiri.
“Kërkojmë nga Qeveria të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve të mëtejme me Serbinë me zbardhjen e fatit të plotë të tyre”, thuhet në rekomandimin e parë të deputetëve.
Por, pas votimit PDK ka paralajmëruar se mund të shqyrtojë edhe një herë çështjen e votimit të rekomandimeve, me arsyetimin se ka pasur dyfishim të rekomandimeve.
“Nesër e kemi lënë të takohemi me Grupin Parlamentar edhe e kemi lënë të diskutojmë nesër për shkak se janë votuar dy rekomandime për të njëjtën çështje. Ka paqartësi dhe mund të them se është një çështje që mund të mos mbetet kështu”, ka thënë pas përfundimit të seancës Zëvendësshefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Elmi Reçica.
Megjithëkëtë, pozita nuk do të mund t’i dërgojë për rivotim edhe një herë rekomandimet e interpelancës, pasi rregullorja e punës së Kuvendit nuk lejon që të njëjtat konkluzione të votohen edhe njëherë pa kaluar afati prej gjashtë muajsh.
Në rekomandimet tjera, deputetët e Kuvendit kanë kërkuar edhe nga “të gjithë organizmat e përfshirë në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur të intensifikojnë punën me qëllim të identifikimit të mundshëm të mbetjeve mortore si dhe përkrahjen në sigurimin dhe procedimin e informatave të reja”.
“Kërkojmë nga Instituti i Kosovës për Krime Lufte që të grumbullojë dokumente e fakte për krimet e bëra nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare serbe në Kosovë gjatë periudhës 1998-99”, thuhet më tej në rekomandime.
Gjatë interpelancës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë folur dhe analizuar problemin e personave të pagjetur, ndonëse këtë e kishin bërë edhe në seancën e parlamentit që është mbajtur në kohën kur mediat kanë bojkotuar institucionet.
“Asgjë nuk po themi të re”, ka thënë Arsim Bajrami i PDK’së.
“Problemi nuk është zgjidhur, në vend të retorikës të ndërtojmë strategji shtetërore dhe të jemi të sinqertë. Kjo kategori ka nevojë për veprime konkrete, se shteti i Kosovës i ka vënë në prioritet këtë çështje”, ka shtuar ai.
Por, deputetja e AAK’së, Kimete Bajraktari, e cila është iniciuese edhe kësaj interpelance, ka thënë se duhen veprime konkrete për të zbardhur fatin e 1 mijë 780 personave të zhdukur.
Ajo ka fajësuar Qeverinë se nuk ka bërë asgjë për këtë kategori të shoqërisë.
“Serbia nuk ka treguar asnjëherë vullnet politik për të punuar në zbardhjen e fatit të tyre. Në mars të viti 2011 ka filluar procesi i bisedimeve dhe deri më tash nuk ka pasur asnjë informatë apo informim në Kuvend për çështjen e bisedimeve dhe temën e personave të zhdukur”, ka thënë Bajraktari.
Në anën tjetër, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se për çështjen e të pagjeturve është angazhuar edhe BE’ja, pasi Serbia po vazhdon politikën e kohës së Slobodan Milosevic.
Ajo ka sqaruar se çështja e të pagjeturve është diskutuar në raundin e katërt të bisedimeve në Bruksel, të mbajtur më 18 maj 2011, dhe me këtë rast delegacioni i Kosovës ka paraqitur platformën e Qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi.
“Si dhe Bashkimi Europian të pranojë të marrë rol udhëheqës dhe garantues për zgjidhjen e plotë të këtij problemi. Këtë e kemi arritur plotësisht, sepse kjo çështje është bërë pjesë e agjendës së BE’së”, ka thënë Tahiri.
Kjo zyrtare e Qeverisë ka thënë se kanë kërkuar hapjen e arkivave të Serbisë, në të cilat sipas saj, janë adresat e të pagjeturve të vrarë gjatë kohës së luftës.
Ndryshe, Asociacioni i Shoqatave të Familjarëve të Personave të Pagjetur ka kritikuar në vazhdimësi institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, duke thënë se në këtë drejtim mungon një angazhim i duhur dhe serioz.